Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka kërkuar nga Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha ndërhyrjen në mirëfunksionimin e tyre, pasi sipas saj nevojat për mirëmbajtje janë të mëdha. Lidhur me këtë Balluku ju referua digave që përdoren kryesisht nga sektori i bujqësisë, ku nevoja më e lartë është në përmirësimin e kanalizimeve.
“Nëse ka diçka që ne sot duhet të ndërhyjmë dhe këtu po i referohem sektorit të digave të cilat përdoren nga bujqësia, duhet të ndërhyjmë në kanalizime. Rrjetin e kanalizimeve të lidhur me rezervuarët i cili padyshim për shkak edhe të ndërtimeve informale, për shkak të një tranzicioni 30 vjeçar ka pësuar dëme të konsiderueshme që do të ishte e udhës dhe është në planet e qeverisë të rehabilitojmë këtë rrjet, duke qenë se bujqësia vazhdon të jetë një nga sektorët më fitimprurës në ekonominë e vendit, me ndikim të jashtëzakonshëm në shifrat e eksporteve shqiptare”, tha Balluku.
Ashtu si me rekrutimin e punonjësve të rinj në OSHEE, ministrja Balluku kërkoi ekspertë nga brezat e rinj në fusha të lidhura me digat.
“Në rast se vazhdojmë dhe nuk i hapim dyert për të rinjtë dhe të rejat me idenë që ata nuk dinë sa ne, do të ishte gabimi më i madh që do të ndodhte në çdo sektor, por sidomos në sektorin e digave ku identifikoj me shumë shqetësim që nuk kemi prurje të reja. Në rast se nuk kemi të rinj dhe të reja që futen në këtë sektor kaq të rëndësishëm, pasi ata që janë aty prej vitesh nuk i konsiderojnë të aftë për ti pasur kolegë, kjo është diçka shumë e rrezikshme e cila duhet të ndryshojë menjëherë”.
Ministrja Balluku u shpreh se sfida më e madhe qëndron në sistemin ekologjik pasi prurjet e larta në kaskadën e Drinit kërkojnë masa të shtuara për mbrojtjen, rehabilitimin dhe përdorimin e digave.
Tv Klan