I pranishëm pritet të jetë edhe kryeministri Edi Rama

I vendosur për t’i shkuar deri në fund miratimit të ndryshimeve kushtetuese që hapin listat zgjedhore dhe ndalojnë koalicionet parazgjedhore, Edi Rama mësohet se po mendon të jetë pjesë e mbledhjes së Këshillit Politik që do të mbahet paraditen e të hënës së 20 Korrikut, por kjo mbetet ende për t’u konfirmuar.

Lulzim Basha nuk pranoi që të ulej në tryezë me kryeministrin siç ai i propozoi të premten Oerd Bylykbashit në formatimin e dakordësuar në Janar të këtij viti. Në Këshillin Politik do t’i bashkangjitet sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi. Siç presidenti Meta propozoi dhe që u mirëprit dhe nga palët, në mbledhjen e së hënës do të diskutohen ndryshimet kushtetuese të propozuara nga opozita parlamentare. Kjo justifikon dhe praninë e Myslim Murrizit në këtë tryezë.

Asnjë nga palët të kontaktuara nuk dinë të thonë se çfarë produkti do të prodhojë rikthimi i Këshillit Politik që arriti me konsensus marrëveshjen politike të 5 Qershorit për amendime të pjesshme të ligjit elektoral. Në parim opozita jashtëparlamentin është kundër heqjes së koalicioneve parazgjedhore, por nuk kundërshton hapjen e listave.

Kryeministri vetë deklaron se koncepti kushtetues për koalicionet do të riformulohet nën modelin e disa vendeve te BE. Rama ka deklaruar se brenda këtij sesioni parlamentar ndryshimet do të miratohen. Por demokratët kundërshtuan sepse për ta, miratimi i tyre do të thotë prishje e marrëveshjes së 5 Qershorit. Këtë të fundit e kundërshton opozita parlamentare, votat e të cilës kërkohen si për ndryshimet kushtetuese që miratohen me 94 vota ashtu dhe për amendimet në kod që kërkojnë 84 kartona jeshilë që të miratohen.

Tv Klan