Rama pranon propozimin e Metës dhe Bashës

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për listat e hapura apo koalicionet, do të diskutohen në Këshillin Politik. Palët kanë rënë më në fund dakord në parim. Kryeministri Rama ka pranuar një propozim të Presidentit Meta dhe Kryedemokratit Basha, që çdo ndryshim që lidhet me Reformën Zgjedhore dhe Kushtetutën të kalojë nga ky Këshill.

“PS nuk ka asnjë obligim ndaj PDLSI përveç marrëveshjes së 5 qershorit, të cilën do ta mbështesë deri në fund! Por nëse opozita presidenciale (OP) mendon se nisma zyrtare kushtetuese ia vlen të diskutohet në Këshillin Politik, PS s’ka si të jetë kundër, madje me gjithë OP në tryezë! PS e ka gjithë vullnetin të bëjë çdo përpjekje për ta bindur PD LSI OP për dobinë që nisma kushtetuese ka për Shqipërinë, e unë jam i gatshëm të shkoj vetë në Këshillin Politik këtë herë, ku po erdhi dhe LB apo edhe IM nëse dëshirojnë, do jetë edhe më mirë padyshim. Gati që të hënën!”

Pas këtij qëndrimi reagoi me një deklaratë edhe opozita e bashkuar që thotë se i qëndron marrëveshjes së 5 Qershorit, duke u shprehur kundër ndryshimeve të njënashme dhe gatishmërinë për t’u rikthyer në Këshillin Politik.

“Rikonfirmojmë qëndrimin tonë se nëse Partia Socialiste është vërtetë e interesuar për të diskutuar mbi çështje të tjera në lidhje me reformën zgjedhore, ajo është e obliguar nga Marrëveshja e 14 Janarit dhe nga Marrëveshja e 5 Qershorit t’i parashtrojë ato për diskutime dhe vendimmarrje konsensuale në Këshillin Politik”.

Pas këtij reagimi të opozitës, përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri propozoi paraditen e 20 ose 21 Korrikut për t’u takuar, duke konfirmuar edhe praninë e Kryeministrit Rama dhe duke e konsideruar të mirëpritur që në takim të jenë edhe krerët e opozitës jashtë parlamentit. Opozita e konfirmoi pjesëmarrjen në Këshillin Politik, por tha se kryetari Basha nuk do të jetë i pranishëm dhe në vend të tij do të shkojë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Presidenti Meta deklaroi më herët se ishte takuar me kryedemokratin Basha dhe se ishte njohur me qëndrimin e opozitës se, nëse Partia Socialiste është e interesuar për të rihapur diskutimin për çështje të tjera, në lidhje me Reformën Zgjedhore, ajo është e obliguar nga marrëveshja e 14 Janarit dhe nga marrëveshja e 5 Qershorit t’i parashtrojë ato për diskutime dhe vendimmarrje konsensuale në Këshillin Politik. Ai thotë se ky qëndrim i opozitës së bashkuar është i përgjegjshëm dhe bashkëpunues.

Në frymën e dialogut konstruktiv mes palëve për miratimin sa më parë të marrëveshjes së dakordësuar nga ndërkombëtarët, kreu i shtetit falenderoi edhe partnerët europianë për mbështetjen e fortë për çeljen e negociatave, ku kushti i parë është miratimi urgjent i marrëveshjes së 5 Qershorit, duke postuar deklaratën e 3 deputetëve të Parlamentit Europian që bëjnë thirrje për dialog e konsensus. Të enjten, Presidenti paralajmëroi mazhorancën se nëse do të shkojë drejt miratimit në mënyrë të njëanshme të ndryshimeve kushtetuese, atëherë ai nuk do t’i njohë ato.

Tv Klan