Balla: Nevojë emergjente që palët të bien dakord

Maxhoranca i është drejtuar për opinion Komisionit të Venecias lidhur me amendamentet kushtetuese për zgjatjen e mandatit të institucioneve të vettingut deri në 2024-n. Kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla tha pas një takimi që pati me raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian Isabel Santos, se dakordësinë e ka dhënë edhe deputeti Fatmir Xhafaj, i cili në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit abstenoi.

“Kemi rënë dakord që të kemi një raport të ri, sepse ka pasur sensibilitete. Pyetjet për Komisionin  e Venecias janë hartuar dhe duhet të jenë nisur në mënyrë që të shkojmë përpara me kohën”.

Balla e cilësoi emergjente nevojën e çuarjes përpara të reformave me opozitën, përfshi edhe ndryshimin kushtetues për zgjatjen e afateve të vettingut.

“Për nevojën e dakordësisë të të gjitha palëve, për zgjatjen e afateve të vettingut deri në 2024, nuk duhet të jetë kurrsesi në çështje politike. Jemi në kushtet e një nevoje emergjente që palët të bien dakord.”

Por opozita ka refuzuar të jetë pjesë e diskutimeve në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit, duke kërkuar bashkimin e dy nismave për ndryshimin e Kushtetutës.

Tv Klan