Pas “heshtjes” së presidentit të vendit Ilir Meta sa i takon zhvillimeve të fundit politike lidhur me ndryshimet kushtetuese, zëdhënësi për mediat Tedi Blushi ka sqaruar se nesër kreu i shtetit do të mbajë qëndrimet e tij para mediave.

Blushi thekson se aktualisht Presidenti është i përqëndruar në një tjetër raport zhgënjyes nga ndërkombëtarët për Shqipërinë, teksa thotë se i mbeten deklaratës së një ditë më parë.

“Lidhur me interesimin tuaj për reagimet e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta për çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe legjitimitetit të Kuvendit, i mbetem reagimit të djeshëm zyrtar.

Presidenti Meta aktualisht është i përqendruar me një raport tjetër zhgënjyes të ndërkombëtarëve për vendin tonë.

Por ju njoftoj se nesër mund ta pyesni Presidentin Meta për çdo çështje, në konferencën javore për mediat, që do e afrojmë një ditë, për arsye të axhendës”.

Sakaq, një ditë më parë Presidenca reagoi duke theksuar se i duhet dhënë fund cdo marrëzie dhe se e ardhmja europiane e Shqipërisë është alternativa e vetme e të gjithë qytetarëve të këtij vendi.

“Meta thekson se Kuvendi aktual ka vetëm 82 deputetë legjitimë, ku përfshihen edhe tre deputetët të cilët nuk pranuan të dorëhiqeshin pas vendimit të Opozitës së Bashkuar. 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të partive opozitare refuzuan të ishin pjesë e Kuvendit. Edhe pse shteruan të gjitha listat e partive opozitare prej 18 muajsh, Kuvendi ka formalisht vetëm 122 deputetë nga 140 deputetë që është detyrimi kushtetues. Procesi i zëvendësimit ka qenë haptas antikushtetues dhe antiligjor.

Ndaj është koha t’i jepet fund çdo marrëzie, fundi i së cilës dihet qartë. E ardhmja europiane e Shqipërisë është alternativa e vetme e të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Të gjithë të distancohen nga aventurierët dhe Haxhi Qamilët!”. /tvklan.al