Për ndryshimet kushtetuese të votuara këtë të enjte në parlament, reagoi edhe ambasadori gjerman në vendin tonë Peter Zingraf, i cili shpreh keqardhjen që përmes këtyre ndryshimeve reforma zgjedhore po merr tipare konfliktuale.

“Shpreh keqardhjen që megjithë marrëveshjen e arritur dhe tanimë të vendosur në ligj të 5 qershorit reforma zgjedhore e nisur në mënyrë të suksesshme është duke marrë sërish tipare konfliktuale përmes ndryshimeve kushtetuese. Unë respektoj rolin institucional të parlamentit, por njëkohësisht kuptoj që prej marrëveshjes së 5 qershorit rezultojnë pretendime legjitime për një dialog gjithëpërfshirës”.

Peter Zingraf u bën thirrje të gjithë aktorëve të bashkëpunojnë për implementimin ligjor të ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhorm si dhe të respektojnë marrëveshjen e 5 qershorit. Në këtë kontekst, thotë ambasadori gjerman, duhet të diskutohen në mënyrë të veçantë çështjet e listave të hapura dhe roli i koalicioneve parazgjedhore me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik në frymën e përfshirjes dhe të bashkëpunimit.

“Shqipëria gjendet përpara mundësive dhe sfidave të mëdha – përmend këtu vetëm bisedimet e anëtarësimit në BE, rindërtimin pas tërmetit dhe kapërcimin e krizës Corona dhe pasojave të saj. Në një situatë të tillë rregullat e qartë e transparentë për zgjedhjet e ardhshme, të pranuar nga të gjitha palët politike, janë me rëndësi thelbësore për të ardhmen e vendit. Sjell në vëmendje, që reforma zgjedhore mbetet një element qendror në përmbushjen e kushteve të formuluara nga Këshilli i BE-së (dhe në mënyrë të ngjashme nga Bundestag-u) përpara Konferencës së Parë të Anëtarësimit me BE-në dhe se zbatimi i suksesshëm i saj është një prej kushteve të grupit të dytë“, thotë ambasadori Zingraf.

Ndërsa ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Luici Soreca në faqen e tij në Twitter përcolli deklaratën e zëdhënëses së Komisionit Europian Ana Pisonero, e cila u shpreh se “teksa e pranojmë miratimin nga Parlamenti i Shqipërisë i disa ndryshimeve në Kushtetutë në lidhje me sistemin zgjedhor, është për të ardhur keq nuk iu dha më shumë kohë fazës përgatitore për të gjetur një kompromis mes të gjitha partive në Këshillin Politik”.

Pisonero tha se ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratuara nga Parlamenti më 23 Korrik për të zbatuar marrëveshjen e 5 Qershorit, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR, kanë përmbushur kushtin e vendosur nga Këshilli kur vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit në mars.

Tani është thelbësore që ndryshimet në kodin zgjedhor të implemotojnë ndryshimet kushtetuese, në veçanti listat e hapura dhe roli i koalicioneve parazgjedhore, të diskutohen siç duhet me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik në një mënyrë bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse përpara se të votohen”, tha zëdhënësja e KE./tvklan.al