“Akti i sotëm i ndryshimit të njëanshëm dhe me urgjencë të pajustifikueshme të Kushtetutës nga Kuvendi me legjitimitet të cunguar, është antikushtetues dhe i papranueshëm!“.

Kështu shprehet Presidenti Ilir Meta, në një deklaratë për mediat, pas ndryshimeve kushtetuese që u votuan këtë të enjte në Kuvend.

Për kreun e shtetit “ndryshimi i dhunshëm i Kushtetutës asgjesoi marrëveshjet konsensuale të 14 Janarit dhe të 5 Qershorit që mundësuan një proces dhe produkt gjithëpërfshirës, duke hedhur përsëri në erë mirëbesimin ndërmjet palëve, paqen sociale në vend dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë”.

Sipas Metës, retorikat oportuniste dhe hipokrite të disa ndërkombëtarëve shkojnë kundër aspiratës dhe projektit strategjik të shqiptarëve për të ndërtuar një të ardhme europiane.

Ai thotë se “asnjë bandë pengmarrëse s’do të mund t’i shpëtojë përgjigjes së merituar që do të marrë nga forca e qytetarëve të bashkuar kundër këtij grushti shteti”.

“Presidenti i Republikës si gjithmonë do të jetë në krye të detyrës në mbrojtje të Kushtetutës, të drejtave të patjetërsueshme dhe vullnetit të qytetarëve për të marrë në dorë fatet e tyre. Edi Rama e ftoi sot popullin shqiptar në një përballje historike. Ai u mburr sot se është djali i komunistit që vari në mes të Kukësit poetët për fjalën e lirë. Ne shqiptarët do t’i përgjigjemi shqiptarisht deri në fund!“, thuhet më tej në deklaratën e Presidentit Meta./tvklan.al