Për Monika Kryemadhin, qeveria ka rënë. Duke komentuar ndryshimet në kabinetin qeveritar, kryetarja e LSI tha se Rama ka ndërruar vetëm disa pjesë të lavatriçes së pastrimit të parave të pista.

Në një deklaratë për mediat nga selia e LSI, Kryemadhi theksoi se kjo qeveri ka rënë si pasojë e skandaleve në të cilat është përfshirë.

“Qeveria ra sepse ky asnjëherë nuk përmend se sa shumë taksa paguajnë shqiptarët por përditë bërtet dhe ulëret sikur ky ka bërë uljen më të madhe të taksave. Në fakt kjo nuk është një ndryshim qeverie që mundohet të shpjegojë Edi Rama, por kjo është një rënie e qeverisë, e cila ra si rezultat i skandaleve korruptive të qeverisë Edi Ramës.

Vetëm me një tender të cilën e shikojnë shqiptarët sot, Edi Rama vjedh 40 milionë Euro, por po të ketë drejtësi, po të ketë Prokurori dhe gjykata të ndershme të pakapura nga Edi Rama, shqiptarët do të shikojnë skandale pa fund se sa miliona Euro ju vidhen shqiptarëve me afera korruptive, me tendera korruptivë dhe me shumë projekte të tjera të cilat janë kthyer në lavatriçe të pastrimit të parave të trafikut të drogës.

Edi Rama harroi të thoshte sot përpara partisë së Surrelit se qeveria duhet t’ju shërbejë qytetarëve të saj. Por përkundrazi, Edi Rama sot ndërroi pjesë të lavatriçes të pastrimit të parave të drogës, sepse mendon që duke ndërruar disa pajisje dhe duke ndërruar detergjentin, mund të vazhdojë të pastrojë paratë, por harron që duhet larguar lavatriçja e vetme që kanë shqiptarët sot, e cila ka emrin e Edi Ramës

“, deklaroi kryetarja e LSI Monika Kryemadhi.

/tvklan.al