Në javët në vazhdim pritet që qeveria Berisha të pësojë ndryshimet e para që prej krijimit të saj. Lëvizja Socialiste për Integrim, një nga aleatët kryesorë të Berishës në kabinet, ka vendosur të zëvendësojë Dritan Priftin në postin e Ministrit të Ekonomisë me Ilir Metën, ndërsa në vendin e këtij të fundit, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, kryesia e LSI-së propozon Edmond Haxhinaston, aktualisht zv. Ministër i Transporteve.

Ndërsa për pjesën më të madhe të publikut këto ndryshime ishin të papritura, kryeministri Berisha konfirmoi se kishte folur me kryetarin e LSI-së për zëvendësimet që 6 muaj më parë. Duke respektuar vendimin e aleatëve, Berisha konfirmoi zbatimin e vullnetit të LSI-së, ndërsa qartësoi se nuk do të ketë asnjë ndryshim në ministritë e drejtuara nga demokratët.

Nga ana tjetër, me arsyetimin se diplomacia dhe angazhimet e saj jashtë vendit e mbajnë larg strukturave të LSI-së, Ilir Meta shpjegoi para gazetarëve se bashkëpunimi me PD-në do të vijojë normalisht sipas marrëveshjes së nënshkruar pas zgjedhjeve të Qershorit të kaluar.    

I vetmi që nuk është deklaruar publikisht për këto ndryshime është ministri Dritan Prifti. Vendimin për ndryshime, kryesia e partisë së tij e ka marrë ndërsa Prifti ndodhej në një ceremoni mortore te një familjar.

Askush nuk di të thotë me siguri nëse ka patur apo jo mosmarrëveshje mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit. Pavarësisht hipotezave, asnjëherë më parë Dritan Prifti, zgjedhur deputet në zonën e Fierit me LSI-në, nuk ka deklaruar pakënaqësi në bashkëpunimin si me kryetarin e partisë së tij, si dhe me kryeministrin.

Muajt e fundit, Dritan Prifti u përfshi në një varg të gjatë akuzash dhe kundërakuzash me kryetarin e PS, Edi Rama. Në ditët në vazhdim ndoshta do të kemi më shumë qartësi për ndryshimet në qeveri dhe reflektimin e tyre te LSI.

Për të diskutuar mbi ndryshimet në kabinetin qeveritar, në emisionin “Opinion” ishin të ftuar sekretari i përgjithshëm i LSI Luan Rama, Preç Zogaj, Frrok Çupi, Andrea Stefani, Henri Çili dhe Robert Rakipllari./tvklan.al