Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do të pritet opinioni i Komisionit të Venecias për ndryshimet në Kodin Elektoral.

Edhe pse janë rrëzuar nga Presidenti Ilir Meta dhe janë kthyer në Kuvend për rishqyrtim, kreu i qeverisë shprehet se Parlamenti do t’i votojë sërish këto ndryshime sa më shpejt.

Presidenti Ilir Meta deklaroi se ndryshimet në kod i ka dërguar për opinion në Komisionin e Venecias, por Rama thotë se ky opinion është i mirëpritur, por dekretet e kreut të shtetit pranohen ose rrëzohen nga Parlamenti.

“Mendimi i Venecias është gjithnjë i mirëseardhur, por për një ligj të votuar dhe të refuzuar nga Presidenti, procedura është e qartë: Refuzimi i Presidentit pranohet ose rrëzohet nga parlamenti! Parlamenti do të rishprehet pa humbur asnjë ditë”.

Kryeministri Edi Rama akuzon Presidentin Ilir Meta si ekstremist që po vepron kundër qeverisë dhe Parlamentit.

“Ky President i angazhuar si një ekstremist kundër Parlamentit dhe Qeverisë Shqiptare, s’merr dot peng askënd dhe asgjë përveç institucionit që fatkeqësisht ka marrë peng! Opinioni i Venezias mirë se të vijë kur të vijë, por koha për këto zgjedhje s’pret asnjë ditë jashtë procedurave”. /tvklan.al