Presidenti Ilir Meta i është drejtuar me një letër kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal të propozuara nga mazhoranca.

Meta në letrën e tij thotë se duke u nisur nga situata e jashtëzakonshme që po kalon vendit, vlerëson të domosdoshme që përpara se të votohet projektligji të mbahet në konsideratë se ndërhyrja në Kodin Penal duhet të respektojë disa rregulla.

“Duhet të respektojë detyrimet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe dispozitat kushtetuese që lidhen me procedurën e miratimit dhe parimet e të drejtat themelore të njeriut; duhet të rivlerësohen marzhet e sanksioneve penale, për ta sjellë normën e re në kushte proporcionale me gjendjen aktuale dhe vlerësimin e qeverisë për situatën e pritshme që mund të kalojë vendi”, shkruan Meta.

Sipas Metës, dispozitat e reja duhet të jenë të qarta, për të mos cënuar parimin e sigurisë juridike. Kjo do të bëjë që popullata të mos mendojë se mund të bëhet subjekt i procedimit penal në mënyrë të padrejtë, ashtu siç është krijuar tashmë në opinionin publik sipas kreut të Shtetit.

“Dispozitat e reja duhet të jenë të qarta, për të mos cenuar parimin e sigurisë juridike, me qëllim që e gjithë popullata të mos mendojë se mund të bëhet subjekt i procedimit penal në mënyrë të padrejtë, ashtu siç është krijuar tashmë ky shqetësim në mbarë opinionin publik, referuar ky shqetësim edhe nga aktorët që u është marrë mendimi gjatë procesit legjislativ, por dhe duke parë mungesën e qartësisë së propozimeve. Paragrafët e dispozitave të reja, duhet të përcaktojnë qartë elementët e secilës figurë të veprës penale, veçanërisht subjektin, si dhe format e konsumimit të saj, duke bërë dallim të qartë mes dashjes dhe pakujdesisë, si dhe duke treguar kujdes në proporcionalitetin e dënimit në përputhje me pasojat që mund të vijnë. Gjithashtu, duhet qartësuar se një subjekt nuk mund të procedohet penalisht, nëse nuk është proceduar më parë në rrugë administrative. Këto sugjerime paraprake vlerësoj se duhet të konsiderohen nga Kuvendi i Shqipërisë përpara votimit të kësaj nisme të rëndësishme ligjore”, thotë Meta.

Në letrën e tij, Meta i ka përcjellë një draft të përmirësuar të projektligjit të miratuar nga Komisioni përgjegjës për çështjet ligjore.

“Kjo mënyrë e veçantë komunikimi përgjatë procesit legjislativ, synon vetëm mbrojtjen e interesit publik e të shtetasve, dhe rregullimin e jetës shoqërore në vend, përkundrejt parimeve kushtetuese dhe atyre ndërkombëtare”, thotë Meta.

Sipas draftit të Metës, moszbatimi i masave të autoriteteve gjatë gjendjes së jashtëzakonshme nga një person që më parë është dhënë masë administrative dhe pa një shkak të ligjshëm dënohet me gjobë dhe burgim deri në 6 muaj.

Kur një person mbartës ose jo i sëmundjes infektive, i cili është njoftuar për karantinim ose izolim dhe e thyen atë dënohet me burgim nga 2 deri në 3 vjet.

Përhapja me dashje e sëmundjes infektive sipas Metës dënohet me burgim nga  deri në 5 vjet. Kur kjo vepër ka shkaktuar pasja të rënda për shëndetin ose jetën e qytetarëve dënohet me burgiom nga 3 deri në 8 vjet.  

Kur nga vepra, është shkaktuar vdekja e një ose më shumë personave, duhet të dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet sipas Metës.

/tvklan.al