Propozimet për ndryshime të Kodit Rrugor, të cilat kaluan me vota e demokratëve dhe socialistëve në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, për ekspertët e sigurisë rrugore janë ndryshime të cilat duhet të shoqërohen edhe me sinjalistikën e duhur rrugore. Gëzim Hoxha thotë se në Shqipëri ka segmente të caktuara, kryesisht në akset e reja rrugore si Fier-Vlorë, apo Tiranë-Elbasan të cilat përmbushin standardet për lëvizjen deri në 130 km në orë.

“Ne kemi segmente të caktuara që plotësojnë kriteret e autostradës. Rruga Tiranë-Elbasan, ka disa segmente që e ka dhe ka edhe sinjalistikën të vendosur me 110 km/orë dhe aty mund të ecet edhe me 130. Kjo duhet harmonizuar edhe me sinjalistikën rrugore. Duhen tabelat, duhen sinjalistikat. Duhet të çohen në standardin e duhur të gjitha akset rrugore dhe të gjithë elementët e tjerë të sinjalistikës”.

Por ekspertët thonë se Kodi Rrugor në Shqipëri duhet të ripunohet me ndryshimet që po pëson Shqipëri, për t’iu përshtatur vendeve të BE.

“Duhet te ripunohet Kodi Rrugor, i cili është një dokument, Kod me shumë akte që duhen ripunuar për t’i çuar në standardet e ke. Ky Kod është i para 20 vitesh”.

Në ndryshimet që priten të miratohen ditën e enjte në Kuvend, përveç rritjes së shpejtësisë është propozuar edhe për ta zgjatur në 15 ditë afatin e pagimit të gjobave pa kamatëvonesë nga 5 që ishte dhe për të përfituar 50 përqind ulje nga 20 që është aktualisht në Kod.

Po ashtu vlefshmëria e të gjitha patentave do të zgjatet në 15 vite. Një tjetër ndryshim i vendosur tashmë dhe në Kod është detyrimi i bashkive që 50 përqind të vendparkimeve që administrojnë të jetë pa pagesë.

Tv Klan