“Kush voton kundër pengon integrimin dhe do të mbajë përgjegjësi”

Presidenti Ilir Meta e konsideron një ditë të rëndësishme për të ardhmen e vendit ditën e sotme ku pritet të votohet në parlament për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Kreu i shtetit gjatë një konference sëbashku me homologun e tij boshnjak Šefik Džaferović tha se deputetët duhet që të respektojnë marrëveshjen e 5 Qershorit. Në të kundërt, ai tha se deputetët do të mbajnë përgjegjësi personale pasi do të votojnë kundër integrimit të Shqipërisë në BE.

“Sot është një ditë e rëndësishme për të ardhmen e shpejtë të Shqipërisë, pra për çeljen e shpejtë të negociatave mundësisht brenda presidencës gjermane ose për të provokuar një shtyrje që populli shqiptar nuk e meriton, pasi çdo shqiptar është i angazhuar për integrimin e Shqipërisë në BE. Shpresoj që sot deputetët të marrin një vendim të drejtë, të respektojnë marrëveshjen e 5 Qershorit. I vetmi përjashtim është që të vendosin për listat e hapura dhe ajo që dua të nënvizoj që çdo prekje e njëanshme e marrëveshjes historike të 5 Qershorit do të jetë një faturë historike dhe personale për ata që do të ngrenë dorën në këtë rast kundër integrimit të Shqipërisë pasi jemi paralajmëruar nga ana e presidencës gjermane dhe partnerët tanë. Duke respektuar marrëveshjen dhe duke bërë zgjedhje demokratike çelim negociatat japim shembull për çdo vend tjetër. Maqedonia e Veriut nga ka dhënë një shembull të shkëlqyer si kapërcehen problemet e brendshme, si zgjidhen krizat dhe si ecet drejt BE-së”, tha Meta.

Presidenti shtoi se përgjegjësia e deputetëve do të jetë individuale dhe jo kolektive.

“Uroj që ashtuquajtara mazhorancë të thellohet. E ashtuquajtura opozitë në parlament nuk duhet t’u shkojë mendja të mbyklin derën e integrimit europian në BE. Ai që ngre dorën për të ndryshuar marrëveshjen e 5 Qershorit, përveç listave të hapura, ngre dorë kundër integrimi. Unë dëshiroj të mos e bëjnë. Kushdo që do të ngrejë dorën duhet të dijë që përgjegjësinë do ta ketë individuale. Presidenti do ti publikojë emrat e tyre që  do të guxojnë të bëjnë një gjë të tillë se kush janë ata që duan të kthejnë Shqipërinë 30 vjet pas”, tha Meta./tvklan.al