Për të zgjedhur kryetarin e Partisë Socialiste do të ndiqet modeli i laburistëve britanike, por me një ndryshim. Tv Klan ka siguruar draftin – statutin e kësaj force që pas ndryshimeve të bëra nga grupi i punës pritet të miratohet nga Asambleja Kombëtare që do të mblidhet të mërkurën e 9 marsit vetëm 10 ditë përpara kongresit zgjedhor.

Ndryshimet përcaktojnë se kur partia është në pushtet dhe kryetari i saj mban postin e kryeministrit zgjedhjet për kryetarin do të zhvillohen vetëm nëse kërkohet nga të paktën 10 % e delegatëve dhe kërkesa merr mbështetjen e shumicës së delegatëve të kongresit.

Kryetari i partisë, thuhet në dokument, nuk mund të zgjidhet më shumë se tre herë rradhazi në atë funksion, përveçse në rastin kur gjatë mandatit si kryetar i partisë ka ushtruar edhe detyrën e kryeministrit.

Periudha e ushtrimit të detyrës së kryeministrit nuk llogaritet si mandat i kryetarit të partisë për efekt rikandidimi.

Një ndryshim tjetër që pritet të miratohet është dhe ajo për kryetarët e partisë  në nivel vendor, mandati i të cilëve është i papajtueshëm me çdo post tjetër në qeverisjen qëndrore si ministër apo dhe deputet si në qeverisjen lokale përfshirë këtu kryetar bashkie apo prefekt.

Po ashtu dhe posti i sekretarëve të partisë socialiste përfshirë këtu dhe sekretarin e përgjithshëm dhe atë organizativ është i papajtueshëm me funksionin e anëtarit të kabinetit qeveritar si dhe me çdo lloj funksioni tjetër ekzekutiv.

Ndryshimet statutore nuk kanë prekur kompetencat e kryetarit të partisë në përzgjedhjen e kandidatëve për deputet apo kandidatëve për kryetar të bashkive.

Po ashtu nuk janë ndryshuar as logoja dhe simbolet e partisë socialiste pavarësisht se prej 2013 kjo forcë politike ka përdorur simbolet e rilindjes në takime elektorale dhe partiake.

Tv Klan