Ndryshimet për Kodin Elektoral, Rama: Do t’i votojmë nesër në Parlament



Ndryshimet për Kodin Elektoral, Rama: Do t’i votojmë nesër në Parlament

11:49 04/10/2020

Partia Socialiste duket e vendosur për të miratuar në Parlament ndryshimet në Kodin Elektoral, edhe pse nuk ka dakordësinë e të gjithë opozitës parlamentare.

Duke folur sot nga selia rozë, Kryeministri dhe kryetari i PS Edi Rama tha se do të synohet konsensusi në Parlament me deputetët e opozitës për bërë 84 vota që nevojiten për miratimin e ndryshimeve në Kodin Elektoral.

“Nesër në Parlament do të votohet dhe do votohet duke pasur parasysh për t’u kaluar ligji elektoral duhet një shumicë kushtetutese. Konsesusi është tek Kushtetuta. Do ishte një mrekulli sikur 100% e partive të ishin dakord për të gjitha. Shumica që vendos dhe vulos është shumica kushtetuese në Parlament në fund të ditës. Të tjerat nuk kanë më asnjë vlerë. Në jetë vetëm kalamajtë e vegjël nuk mbajnë përgjegjësi dhe nuk i marrin kostot vetë për vendimet e tyre. Kur ikën nga Parlamenti ta kishin llogaritur që nuk mund më të ushtronin fuqi mbi Parlamentin. Edhe pse fuqinë mbi Parlamentin po e ushtrojnë përmes nesh, jemi bërë ne shërbëtorët  e tyre. Votoj unë komisionet politike të zgjedhjeve kur kam thënë 35 herë që nuk ka komisione politike se duhet të jenë komisione të depolitizuara. E bëj sepse Luli nuk është në Parlament.  Nesër sa vota do marri ligji, mjafton të marri 84, është ligj edhe nuk e vë dot në diskutim askush”.

Dy ditë më parë, Komisioni i Ligjeve miratoi me votat e deputetëve socialistë dhe dy vota të opozitës parlamentare ndryshimet në Kodin Elektoral. E pandryshuar mbeti formula e koalicioneve paraelektorale, ku socialistët nuk hoqën dorë nga dalja me një listë të vetme.

Ajo që shkaktoi përplasje me opozitën parlamentare ishte hapja e listave, por Damian Gjiknuri sqaroi se renditja e kandidatëve në zgjedhje mund të përmbyset, duke respektuar vendosjen e një pragu votash. Pjesë e ndryshimeve në Kodin Elektoral është edhe ulja nga 3 në 1% të pragut elektoral që duhet të arrijnë subjektet zgjedhore për të përfituar nga shpërndarja e mandateve.  /tvklan.al




Të ngjashme