Ndryshimi i formulës së koalicioneve, Bylykbashi: Një “game changer”, në mes të lojës



Ndryshimi i formulës së koalicioneve, Bylykbashi: Një “game changer”, në mes të lojës

21:47 01/10/2020

Në “Opinion”, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi shpjegoi përse opozita kërkon që formula e koalicioneve të mbetet e pandryshuar. Bylykbashi theksoi se koalicioni është element thelbësor në funksionimin e sistemit zgjedhor dhe nëse kjo sipas tij ndryshohet 4 muaj para regjistrimit të partive politike është një ndryshim i rregullave të lojës, në mes të lojës.

Koalicionet, si i parasheh Partia Demokratike? Sepse sipas mazhorancës, nuk ka nevojë për koalicion, mund të hyni në një listë të përbashkët të gjitha forcat opozitare. Cili është propozimi juaj për koalicionet?

Propozimi ynë për koalicionit është ai që është sot në fuqi prej 17 vitesh. Është miratuar në vitin 2003 me konsensus, është konfirmuar në 2004, 2008, 2012, me konsensus. Është konfirmuar me konsensus 23 Korrikun e shkuar, koalicion me listë të përbërë, që do të thotë që çdo parti garon me listën e vet kandidatëve.

Por duke qenë në koalicion…

Po është ajo që dimë të gjithë, siç ka qenë deri më sot.

Nëse mazhoranca e heq këtë version, pra nuk pranon koalicione të përbëra, si do ta zgjidhni? Do hyni me një listë?

Ne kemi një lloj liste të hapur të partive. Zgjedhësi i sheh të gjitha partitë e koalicionit në fletë dhe zgjedh atë që do. Propozimi socialist i mbledh dhe i fsheh të gjitha partitë pas siglës së koalicionit. Pra zgjedhësi nuk është në gjendje të përcaktojë fuqinë e partisë me votën e tij. Kjo është diferencë shumë e madhe. Tani çfarë propozojmë ne? Kjo është edhe çështje modeli, ne duam këtë, ata duan këtë tjetrën.

Problemi është që koalicioni është element thelbësor në funksionimin e sistemit zgjedhor dhe nëse ne këtë e ndrrojmë vetëm 4 muaj para regjistrimit të partive politike, kur partitë kanë bërë dhe strategjitë, po rekrutojnë kandidatët etj, është një “game changer”, në mes të “game”. Pra një ndryshim të rregullave të lojës, në mes të lojës, është kundër standardeve të Këshillit të Europës./tvklan.al





Të ngjashme