Destinacioni i fundit i ‘fluturimit’ të emisionit “Opinion” në Tv Klan këtë mbrëmje për të takuar virtualisht shqiptarët e shpërndarë nëpër botë është Kanadaja. Luka Lamaj është një i ri i vendosur në Toronto prej 5 vitesh menjëherë pas përfundimit të arsimit të mesëm.

Përmes një burse, Luka shkoi fillimisht në Montreal dhe më pas në Toronto. Sot ka arritur që të eksplorojë fushën e kërkimeve shkencore dhe teknologjisë ku ka krijuar një aplikacion.

Blendi Fevziu: Shkove me idenë që do kthehe she apo që nuk do ktheheshe?

Luka Lamaj: Të them të vërtetën, kur ika, shumë i vogël, 18 vjeç nuk e dija se çfarë doja akoma nga jeta.  Synimi im ka qenë gjithmonë kërkimi shkencor në fakt prandaj u vendosa në një vend që ta jep këtë mundësi më shumë nga të gjitha. Kanadaja dhe Amerika kanë institutet më të mëdha në botë.

Blendi Fevziu: Edhe financimet më të mëdha të kërkimit shkencor të globit besoj, bashkë me disa vende të Azisë.

Luka Lamaj: Fillova pak kërkim shkencor në pjesën e gjenetikës sidomos dhe studiova Biokimi në Bachelor në Kanada. Ndryshoi mentaliteti pak a shumë, filloi pjesa e sipërmarrjes, teknologjisë, u lidhën të gjitha bashkë dhe filloi jeta të ndryshonte më shumë.

Pas kërkimeve shkencore, Luka krijoi aplikacionin i cili përveçse ka fituar çmim nga Microsoft, përdoret edhe nga 200 klinika në Kanada.

Luka Lamaj: Ideja filloi kur isha në një spital në Montreal. Sistemi shëndetësor kanadez është shumë i ngarkuar, publik, universal por shumë i ngarkuar dhe pacientët nuk kishin doktorë për të takuar, rrinin me orë të tëra nëpër urgjenca, sidomos problemi më i madh ka qenë me doktorët familjarë. Kur fola me disa doktorë, mjekë familjarë sidomos por edhe mjekë specialistë, një nga problemet më të mëdha me mjekët është që ata kanë efektin e “burn out”, pra pensionohen para kohe për shkak se ka shumë punë administrative shumë  probleme që nuk duan të merren dhe janë diku mbi 10 mijë mjekë që “burn out” çdo vit vetëm në Kanada, lëre pastaj Amerika  që ka një numër shumë më të madh. Nëpërmjet kësaj, fillova me fuqinë e inteligjencës artificiale, ne krijuam një gjuhë programimi që bëmë të mundur jo vetëm automatizimin e shumë prej barrave administrative që doktorët kanë gjatë ditës së tyre por dhe t’i ndihmojmë ata për çdo pacient që vjen në klinikë, duke pasur parasysh disa të dhëna, disa parametra, i ndihmojmë me diagnozën, me gjithçka.

Blendi Fevziu: Është një aplikim që e përdorin vetëm spitalet apo është për aplikim të gjerë, publik?

Luka Lamaj: Deri tani janë 3 spitalet më të mëdha të Kanadasë që e përdorin dhe rreth 200 klinika,  doktorët e klinikave e përdorin më shumë si aplikacion.

Blendi Fevziu: E ke ndërtuar vetë apo me partner?

Luka Lamaj: Me partner, me një bashkëthemelues që është gjithashtu shqiptar.

Blendi Fevziu: Ka komunitet të madh shqiptar në Kanada?

Luka Lamaj: Ka, në Toronto sidomos ku jam unë ka një komunitet goxha të madh. Kur fitova çmimin e parë në Microsoft, si start up më i mirë i Amerikës së Veriut, ai që më dha çmimin ishte shqiptar nga Kosova.

Blendi Fevziu: Jo! edhe ai që të dha çmimin e Microsoft ishte shqiptar nga Kosova?

Luka Lamaj: Ai punonte për Microsoft.

Blendi Fevziu: Ka diferenca të  mëdha në mënyrën se si punohet, në mënyrën e punës midis Kanadasë dhe Shqipërisë?

Luka Lamaj: Do thoja po. Është një kulturë tjetër, pak më… në Amerikën e Veriut, e dimë shumë mirë që  është një nga vendet më kapitaliste në botë dhe këtu sipërmarrësi është heroi siç e thonë ata, ka gjithmonë iniciativa për inovacion, për të krijuar gjëraa të ndryshme. Ky ishte “culture shock”-u më i madh që pata kur erdha në Kanada që mund të bësh më shumë se të bëhesh doktor apo kërkues, ka  shumë më shumë mundësi që mund të bëhesh pas shkollimit.

Blendi Fevziu: E mendon ndonjëherë kthimin në Shqipëri?

Luka Lamaj: Mendoj që në një të ardhme të afërt do të kthehem për të ndryshuar sistemin shëndetësor shqiptar siç kam bërë në Kanada.

Luka shton se ka një komunitet të konsiderueshëm shqiptar në Toronto. Gjithashtu ka edhe një komunitet mesatar teknologjik që janë shqiptarë që punojnë për Google apo Microsoft./tvklan.al