Dikur fëmijët thonin se do të donin të bëheshin astronautë, futbollistë ose shoferë në gara me makina kur të rriteshin. Mirëpo tani duket se këto dëshira të tyre kanë ndryshuar. Sipas një studimi të bërë, ku janë përfshirë 1 mijë fëmijë e adoleshentë, është zbuluar se ata kanë tjetër koncept për të ardhmen e tyre.

Konkretisht, ata duan të krijojnë kanalin e tyre në Youtube, një formë e re e vetëpunësimit, apo të jenë blogerë. Të paktën kjo është dëshira më së shumti e djemve. Kurse vajzat janë më shumë të interesuara për të vazhduar një karrierë në shkencë. Personat e përfshirë në studim ishin kryesisht adoleshentë të moshës nën 16 vjeç. Hulumtimet paraprake kanë treguar se pavarësisht se çfarë dëshirojnë të bëhen kur të rriten, në momentin kur fëmijët arrijnë moshën e adoleshencës, ata janë akoma më të qartë në vetëvete se çfarë dëshirojnë të ndjekin.

“OneFamily”, një kompani që ofron shërbime financiare, në bazë të një studimi që ka bërë ka dalë në përfundimin se 45% e adoleshentëve të anketuar mendojnë se punën e ëndrrave të tyre do ta realizojnë kur të arrijnë moshën 30-vjeçare. Ndërsa 21% besojnë se do të krijojnë biznesin e tyre privat. Ndërsa 11% dëshirojnë që të bëhen blogerë, programues, krijues lojërash online apo yje të Instagramit. E megjithatë, kompania tha se pavarësisht këtyre profesioneve të reja, të rinjtë synojnë më shumë profesionet tradicionale.

/tvklan.al