Florian Bushi, ish-agjenti i SHISH, i akuzuar dhe hetuar nga prokuroria e krimeve të rënda se kishte shitur informacione sekrete nuk do përballet me akuzat në gjykatën e krimeve të rënda.

Televizioni Klan ka mësuar se prokuroria nuk arriti të provojë akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë për 35-vjeçarin, por atë të  nxjerrjes së sekretit.

Për këtë arsye dosja u transferua në prokurorinë e Fierit, e cila e ka dërguar në gjyq dosjen.  Gjatë hetimeve u faktua se raporte sekrete  për hetimin e një grupi kriminal që trafikonte droge, për të cilat kishte dijeni Bushi, u gjeten në telefonin e Ilir Memushajt. Pikërisht për këtë rast ka përfunduar në gjyq ish-agjenti i SHISH. Por mësohet se Florian Bushi ka deklaruar se nuk e di si kanë përfunduar informacionet në telefonin e Memushajt, pasi akses në informacion kanë patur edhe te tjerë persona.

Ilir Memushaj u arrestua disa ditë pas atentatit në Mbrostarin, në Fier 8 janarin e vitit 2016, ku mbeti i vrarë Granit Kasa dhe u plagos objektivi Klement Kastrati. Sipas hetimeve, organizator dhe financues i vrasjes ishte Ermal Binjaku, i cili ende nuk është arrestuar. Shkak i krimit sipas prokurorisë ishte një konflikt i vjetër mes të dyve. Madje sipas hetimeve te prokurorisë Binjaku kishte mësuar se ndaj tij po përgatitej një atentat dhe për këtë arsye ai organizoi përpara eliminimin e kundërshtarit të tij.

Aktualisht ish-agjenti i SHISH po gjykohet në gjykatën e Fierit sëbashku me Ilir Memushajn, Ermal Binjakun dhe Ylli Nazërajn./Tv Klan