Facebook Messenger do të ndryshojë pamje. Duke nisur nga e marta, përdoruesit do të kenë një aplikacion më të thjeshtë dhe më tërheqës.

I quajtur nga Facebook, Messenger 4, ky version ka si qëllim që të rifokusohet tek bisedat, duke e bërë më të lehtë për të lundruar në aplikacion.

Kështu, Messenger-i i ri në vend të 9 tabs (skedave) që ka aktualisht, do të ketë vetëm 3. Ato janë Chats, që përfshin bisedat, People (njerëzit), ku shfaqen Stories (historitë) dhe kontaktet aktive, si dhe Discover (zbulo), ku përfshihen lojërat dhe bisedat me bizneset.

Gjithashtu, bisedat me njerëzit do të mund të personalizohen duke përdorur një gradient ngjyrash.

Ky version i ri i Messenger ka nisur të përditësohet gjatë ditës së djeshme dhe do të vijë në telefonët e përdoruesve në mbarë botën gjatë ditëve në vijim.

Facebook po planifikon gjithashtu që të nxjerrë edhe një version me ngjyra të errëta (Dark Mode) të aplikacionit.

/tvklan.al