Filipçe: Kërkesa është bërë nga kompania Pfizer

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, e ka falënderuar Kryeministren serbe Ana Brnabiç, për ofertën që punonjësit shëndetësor nga të ashtuquajtura “zona të kuqe” të vaksinohen në Serbi. Ai tha se vaksinimi në Maqedoninë e Veriut do të bëhet sipas listës së prioriteteve.

Aktualisht në procedurë parlamentare janë ndryshimet e ligjit të Ilaçeve, të cilat, siç tha Ministri Filipçe, bëhen me kërkesë të kompanisë “Pfizer” me qëllim që vaksina të regjistrohet drejtpërsëdrejti, pa pasur nevojë për marrëveshje me kompani lokale.

“Ndryshimet në ligjin për ilaçet vijnë pas kërkesës specifike të kompanisë ‘Pfizer ’ e cila është miratuar në nivel global dhe ka të bëjë me produktin konkret, kjo është vaksina kundër Covid-19. Nuk kanë detyrim të bëjnë asnjë marrëveshje me kompani lokale, por vetë të aplikojnë në institucionet kompetente në secilën prej shteteve, si zyrë përfaqësuese nga jashtë, që të bëjnë regjistrim të produktit. Më duhet ta potencoj se ajo nuk është aspak pengesë që vaksina të vijë në vend, dhe kjo është biseduar me përfaqësuesit e Pfizer…”

Filipçe njoftoi se rezultatet e laboratorit së Akademisë së Arteve dhe Shkencave kanë konfirmuar se nuk ka mutacion të virusit, ngjashëm me atë të Britanisë së Madhe.

“Dolën rezultatet nga analizat e laboratorit në ASHAM ku u konfirmua se nuk kishte mutacion të virusit, ngjashëm me atë në Britani të Madhe, se praktikisht është virusi i njëjtë që ishte gjatë gjithë kohës i pranishëm në disa muajt e kaluara. Por, nuk duhet të relaksohemi. Masat aktuale mbeten në fuqi.”

Këto komente u bënë me rastin e donacionit të dy autoambulancave, të cilat Komuna e Çairit, i dhuroi Shtëpisë së Shëndetit Shkup, mjetet e të cilave i siguroi nga anulimi i dekorimit për festat e fundvitit.

Ministri Filipçe tha se po bëhet modernizimi i të gjitha autoambulancave, gjegjësisht brenda dy javëve do të vendosen pajisje të veçanta, siç janë GPS dhe kamera në të gjitha autoambulancat në kryeqytet.

Tv Klan