Veliaj: Hapi i fundit për shtetësinë i takon Bashkisë

Kushdo që do të marrë shtetësinë shqiptare do të betohet përpara kryetarit të Bashkisë. Në zbatim të ndryshimeve të reja ligjore, tre shtetas, 1 nga Turqia dhe 2 nga Kosova, u betuan të hënën për marrjen e shtetësisë shqiptare para kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Ligji i ri kërkon nga sot, që të jetë kryetari i Bashkisë autoriteti në të cilin bëjnë betimin e shtetasit e rinj të Republikës së Shqipërisë. Edhe pse tingëllon shumë formale, në thelb është një moment shumë kuptimplotë dhe domethënës, ku ajo që sot na bashkon në këtë ambient nuk është gjuha, as feja, as kombësia dhe as origjina nga kemi ardhur, por drejtimi nga do të lëvizim të gjithë së bashku nga tani e tutje, një drejtim që lidhet mbi një ideal të cilin shqiptarët e skalitën kaq bukur në faqen e parë të Kushtetutë”.

Sipas Veliajt, kushdo që do të marrë shtetësinë shqiptare duhet të ketë informacion për historinë e shtetit shqiptar.

“Si shoqëri kemi arritur një progres me hapa viganë, si rezultat i impenjimit të përditshëm dhe përkushtimit të përbashkët si shtetas të Shqipërisë, ku Shqipëria tashmë ka hyrë në epokën e transformimeve të mëdha, duke u kthyer në vendin e mundësive të shumta, shpresës, barazisë dhe lirisë individuale. Vullneti dhe dëshira juaj për të qenë pjesë e këtij rrugëtimi e dëshmon më së miri këtë. Por, shumë punë na presin akoma! Hap pas hapi, sfidë pas sfide, sukses pas suksesi, bashku do ta ndërtojmë Shqipërinë që fëmijët tanë ëndërrojnë, Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, Shqipërinë e së ardhmes”.

Kryetari i Bashkisë lexoi formulën e betimit për 3 shtetasit që kanë fituar shtetësinë shqiptare, të cilët më pas nënshkruan edhe aktin e betimit.

Tv Klan