“Konkurrenca”: Efekte negative nga bordi

Pasi pësuan një rritje të lehtë, Bordi i Transparencës vendosi të ulë çmimet e karburanteve.

Uljen më të madhe e ka pësuar nafta e cila tregtohet me 206 Lekë litri, nga 210 Lekë që ishte më parë.

Një rënie të lehtë me 1 Lekë ka pësuar edhe çmimi i benzinës, e cila tregtohet 197 Lekë/litër nga 198 që ishte deri pasditen e kësaj të enjte.

Bordi i Transparencës sqaron se vendimi bazohet në të dhënat e bursës Platts të Mesdheut, si dhe në faturat zyrtare të operatorëve.

Por vendimet e bordit janë konsideruar si me efekte negative në tregun e hidrokarbureve. Autoriteti i Konkurrencës thotë se sipas një hetimi të Komisionit të Konkurrencës, në një situatë normale çmimet e rekomanduara mund të kenë efekte negative në konkurrencë.

Pas një hetimi të kryer në treg, Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se çmimet maksimale të fiksuara mund të mbrojnë konsumatorin nga çmimet e larta në treg, por sjellin mungesë të konkurrencës efektive.

Tv Klan