Gjykata e Durrësit lë në burg të tre fëmijët e Pëllumb Metës
Hygerta Meta dhe vëlla i saj i madh kanë ndryshuar sërish qëndrim mbi autorësinë e vrasjes së babait të tyre, Pëllumb Meta. Prokuroria Suela Biluli akuzon Hysen Metën se ka qëlluar babain, Pëllumb Metën, kjo nisur nga provat e mbledhura në vendngjarje. Por 25 vjeçari ka mohuar se është ai autor i krimit, duke fajësuar motrën e tij.
Hysen Meta: Të flasi ai që e ka bërë. Nuk e kam bërë unë vrasjen. Unë kam qenë prezent. Motra e ka qëlluar babain, jo unë. Me babain kishim marrëdhënie jo shumë të mira. Kam qenë i hutuar dhe i tronditur ndaj thashë që e kam bërë unë. Më ka ardhur keq dhe jam tronditur.
Studentja 19 vjeçare iu rikthye versionit të parë, duke marrë përsipër autorësinë e vrasjes. Para gjykatës ajo tregoi dinamikën e ngjarjes.
Hygerta Meta: Unë e dija që kishte armë dhe dija momentin kur vinte nga puna. Erdhi babi nga puna dhe u shtri për të pushuar, ishte me kurriz. Mora armën dhe ja tregova babit. Më tha ku shkon me atë armë. I thashë çohu në këmbë, e qëllova pas kësaj. Isha 2 metra larg. Jam penduar, por nuk ka kthim pas.
Studentja 19 vjeçare i tha gjykatës se nga frika e policisë, vendosi që fajin t’ia lërë vëllait të madh. Mbajti të njëjtin qëndrim përsa i përket konflikteve. Tregon se shkaku kryesor i sherrit, ishte fejesa me zor. Gjatë konflikteve vajza tregon se babai ka tentuar të vriste dhe nënën në kuzhinë.
Hygerta Meta: Konflikti ka nisur që në dhjetor. I thashë jo për fejesën. Kisha frikë se nga refuzimi i fejesës, do më vriste. Ai preu bombolën e gazit dhe nuk e rregulloi. Në fund të janarit më tha sërish për fejesën. Më tha se ju nuk keni për të bërë hajër në këtë shtëpi, kishim frikë.
Ndërsa vëllai i vogël, Amarildo Meta deklaroi para gjykatës se nuk ka qenë në dijeni të krimit. Pasi dëgjoi dëshmitë e tre të akuzuarve, gjykata vendosi t’i lërë në burg. Për bashkëshorten e viktimës hetimet vazhdojnë në gjendje të lirë. Ajo është shpërnguar nga Shënavlashi në banesën e familjarëve në Laç.
Blerina Meta dyshohet se ka kryer veprën “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Krimi i rëndë në familje ndodhi më 10 shkurt në Shënavlash, ndërsa djali i madh i Pëllumb Metës kishte denoncuar zhdukjen e babait më 13 shkurt.
Klan News