Personat me aftësi të kufizuar nuk do të paguhen më në bazë të diagnozës, por të dëmeve që sëmundja ju ka shkaktuar. Skema e re kalon nga modeli mjekësor në modelin bio-psikosocial, ku pjesë e vleresimit do të jenë edhe punonjësit social.

“Janë rishikuar kriteret e vlerësimit që janë veç për fëmijët veç për të rriturit, jo më komisione mjekësore, por do  jetë një administratë ku nuk është vetëm mjeku por edhe punonjësi social që vlerëson rast pas rasti personin me aftësi të kufizuar. Në qoftë se sot marrin të gjithë personat njësoj pavarësisht nivelit të dëmtimit të funksioneve të personit, kjo do të ketë një përshkallëzim, që do të thotë personat që janë në gjendje të thelluar do marrin më shumë nga çfarë marrin”,

thotë Bardhylyka Kospiri.

Skema e re ka nisur të pilotohet në disa zona në kryeqytet. Sidorela është një gjimnaziste e diagnostikuar me diabet, pagesa e së cilës është përllogaritur me skemën e re. Pavarësisht se ajo nuk ka asnjë dëmtim të shkaktuar nga sëmundja, prindërit e saj ngrenë shqetësimin se pagesa është e pamjaftueshme.

“Sidorela ka një vit që është me diabet, merr insulina dhe fisha me rimbursim dhe KEMP-i i ka dalë 47 mijë Lekë. Sidorelës nuk i dalin ato se duhet të mbajë një dietë ushqimore”.

Me skemën e vjetër do të përfitonte një vlerë 5 herë më të madhe.

“Duke i ulur përfitimin e KEMP-it në vlera monetare nga 250 në 47, sepse personat e rinj me diabet nuk kanë problematika. Nga 300 mijë Lekë kosto mujore, shteti ndihmon me 1/3, po 2/3 si t’i sigurojmë, kurse ky projekti i ri e ka sjellë problemin më të madh për ne”.

Problemet, sipas Shoqatës së Fëmijëve dhe të Rriturve me Diabet, nuk janë marrë në konsideratë. Krahas pagesës së diferencuar, skema e re synon edhe punësimin e personave me aftësi të kufizuar në rastet  kur është e mundur, si dhe orientimin e të rinjve drejt arsimit profesional. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka gati regjistrin e dixhitalizuar ku do të hidhen të dhëna e detajuara për çdo person. Aktualisht janë 173 mijë persona së bashku me kujdestarët që përfitojnë pagesë për aftësinë e kufizuar.

Tv Klan