Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu firmosi dje urdhrin për ndryshimin e strukturave të policisë në drejtoritë vendore të policisë në qarqe. Në bazë të platformës së policimit dhe sigurisë në komunitet, këto drejtori do të ndryshojnë sektorët e tyre.

Ky ndryshim pritet të sjellë lëvizje në polici si edhe shkarkime për shkak të shkurtimeve të pozicionit. Ky projekt u pilotua fillimisht në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit.

Sipas strukturës së re, çdo drejtori vendore do te këtë drejtor dhe 2 nëndrejtorë, ku njeri do të mbulojë hetimin e krimeve, ndërsa tjetri çështjet e rendit dhe sigurisë publike. Disa prej sektorëve ekzistues do të shkrihen ose do të bashkohen në një sektor të vetëm në mënyrë të tillë që të ulet numri i punonjësve në nivel drejtues.

Do të shkrihen 3 sektorët e hetimit dhe krijohet sektori i vetëm që do të mbulojë çështjet e drogës trafiqeve të paligjshme dhe krimit ekonomik që më parë ishin të ndarë. Sektori i Rendit do të ketë Sallën Operative, Sektorin e Rendit dhe atë të Qarkullimit Rrugor.

Do të zgjerohet kompetenca e komisariateve të cilët do të merren edhe me veprën penale të vrasjes, e cila më parë u kalonte drejtorive.

Territori i një komisariati do të ndahet në zona policore, ku do të rritet roli i inspektorit të zonës. Ndryshime do të ketë dhe në Policinë Rrugore, e cila do të ketë në varësi seksionet e Policisë Rrugore. Ato nuk do kenë varësi nga komisariatet siç ishte më parë.

/abcnews.al