Vitin e ardhshëm qeveria synon të mbledhë 30 milionë dollarë më shumë nga taksat në Shqipëri.

Ekspertët në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë kanë llogaritur që në buxhetin e vitit 2019-ë,  shtesa e barrës fiskale që do të vijë nga tatimet dhe taksat të jetë 1.6% më e lartë se ajo e këtij viti.

Pjesën më të madhe qeveria pret që ta vjelë nga tatimi i dividentit, i cili edhe pse do të ulet nga 15 në 8%, synon që të rritë numrin e personave që tërheqin fitimin. Deri më sot shumë kompani kanë mbajtur të ngrirë dividentin për shkak të tatimit të lartë që vendosej mbi të. Nga ky zë, buxheti pritet të arkëtojë 20 milionë dollarë.

1.8 milion dollarë do të vilen akcizat, ku rritet ajo e duhanit me 5 lekë /paketë dhe vendoset taksë për zhavorret bituminoze që përdoren në ndërtim. 500 mijë dollarë do t’i shtohen buxhetit nga taksa doganore 10% për të gjithë pajisjet frigoriferike që importohen.

Ndryshimi në ligjin e pagave dhe atë të tatimit mbi vlerën e shtuar do të sjellë efekt negative në buxhetin e shtetit në masën e 6 milion dollarëve, të cilat ekzekutivi synon që t’i mbledhë nga paketa antievazion dhe shtimi i xhiros së kompanive si rezultat i rritjes ekonomike. Për vitin e ardhshëm qeveria parashikon që rritja ekonomike të jetë 4.3%.

Tv Klan