Armëmbajtja pa leje është një nga veprat penale, që ka pësuar rritje gjatë 5 mujorit të parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020-ës. Pavarësisht se me ndryshimet e kodit penal u ashpërsuan penalitetet ku armëmbajtja pa leje dënohet nga 7 deri në 15 vite heqje lirie, rastet nuk kanë munguar në asnjë periudhë të  vitit.

Sipas të dhënave zyrtare të mistrisë së brendshme, nga Janari deri në Maj janë evidentuar rreth 400 raste të mbajtjes së armëve pa leje, dhe në total janë sekuestruar 500 të tilla. Për të njëjtën periudhë, gjatë vitit të shkuar janë 318 raste që janë regjistruar nga autoritetet ligjzbatuese.

Numrin më të lartë e mban kryeqyteti, me 115 raste , arrestimin e 85 personave dhe sekuestrimin e 250 armëve.  Operacioni më i madh i policisë ishte kur u zbuluan 18 baza te magazinimit dhe modifikimit të armëve të zjarrit.

Pjesa më e madhe e armëve janë bllokuar nga policia gjatë arrestimit të personave të përfshirë në konflikte, gjatë kontrolleve në makinë, apo personave të mbajtur nën vëzhgim për shpërndarje droge.

Gjithashtu një pjesë tjetër e armëve janë sekuestruar pas zbardhjes së 20 vrasjeve, nga 35 që janë regjistruar në total.

Klan News