Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, rastet e të cilit janë shtuar shumë vitet e fundit. Pikërisht për këtë, ka folur për “Opinion”, kirurgia Edlira Rehovica.


Ajo shprehet se gratë në vendin tonë nuk bëjnë kontrolle të shpeshta dhe prandaj sëmundja zbulohet në një fazë të avancuar. Madje sipas kirurges, në Shqipëri, në 90% të operacioneve bëhet heqja totale e gjirit.

Edlira Rehovica: E kanë të vështirë të vijnë tek mjeku për të bërë kontrollin. Thonë kemi kapur një masë, por nuk na dhimbte, prandaj nuk erdhëm. Formacionet e këqija të gjirit, me disa përjashtime të vogla, nuk dhembin. Janë formacione të vogla që rriten aq gradualisht, duke i hapur vend vetes së tyre saqë nuk të japin asnjë shenjë dhimbjeje. Në momentin që ti nuk ke asnjë nga këto shenjat thua “s’ka gjë se do kalojë, është një gjëndër qumështi”, se ky është nocioni. Ndërkohë, që gjithë gjiri është një gjëndër. Për rrjedhojë vijnë në faza shumë të avancuara, ku nuk ka nevojë ta prekësh formacionin, por kur gruaja zhvishet ti arrin ta shikosh deformimin që ka krijuar kjo masë te gjiri.  

Gjatë kohës që unë isha në specializim në Itali, në Milano, në 3 muaj kirurgji, lindte nevoja për të kryer një heqje totale të gjirit, të gjitha kirurgjitë e tjera ishin minimale. Ndërkohë, realiteti në Shqipëri është krejt ndryshe! Në 90% të operacioneve je e detyruar që të heqësh totalisht gjirin dhe shumë pak operacione të bësh një kirurgji ruajtëse të gjirit. /tvklan.al