Në arrati për 7 vite, por gatimi e “merr në qafë”



Në arrati për 7 vite, por gatimi e “merr në qafë”

10:56 30/03/2021

Një italian i shpallur në kërkim është vënë në pranga vetëm për shkak të një hobi që kishte… gatimin. Marc Feren Claude Biart, 53 vjeç, kishte 7 vjet në arrati. Kishte arritur ta shmangte mjaft mirë policinë, por pasioni për kulinarinë e bëri që të arrestohej.

Policia italiane ra në gjurmët e tij për shkak se ngarkonte video në YouTube duke gatuar. Biart ishte treguar i kujdesshëm të fshihte fytyrën, por dështoi të fshihte tatuazhet në trup.

Ai ishte anëtar i ‘Ndraghetas dhe u arrestua në Republikën Dominikane të mërkurën e kaluar. Tashmë do të ekstradohet në Itali.

Mësohet se Biart kishte qenë duke jetuar një jetë të qetë në Boca Chica. 53-vjeçari ishte në kërkim për trafik kokaine në Holandë për llogari të klanit Cacciola në mafian e ‘Ndraghetas.

‘Ndragheta konsiderohet si një nga grupet kriminale më të mëdha dhe kontrollon shumicën e sasive të kokainës që hyjnë në Europë. Bazën e ka në Kalabri.

Bosi i dyshuar i këtij klani është Luigi Mancuso, 66 vjeç, i cili njihet me pseudonimin “Xhaxhai”./tvklan.al







Të ngjashme