Protestuesit kundër qeverisë janë mbledhur më 8 nëntor në Minsk, për të 13-ën të diele me radhë, duke kërkuar dorëheqjen e Alyaksandr Lukashenkas dhe zgjedhje të reja.

Kjo rezistencë e qytetarëve konsiderohet e pashembullt dhe po vazhdon nga 9 gushti.

Pjesëmarrësit e marshit – të titulluar, Marshi i Demokracisë – kanë valëvitur flamujt bardhë e kuq dhe çadrat me këto dy ngjyra, që janë kthyer të simbol të opozitës.

Në qendër të Minskut është thënë se ka prezencë të madhe të policisë.

Forcat e sigurisë është raportuar të kenë ndaluar disa persona vetëm disa minuta pasi ka nisur marshi.

Qasja në internet është kufizuar në telefonat mobilë nga mëngjesi i së dielës.

Disa stacione të metrove janë mbyllur një orë para marshit, duke cituar “sigurinë e pasagjerëve”.

Këto protesta vijnë pasi policia ka ndaluar dhjetëra profesionistë mjekësorë në një protestë të paautorizuar kundër Lukashenkas një ditë më parë.

Opozita dhe Perëndimi besojnë se procesi zgjedhor i 9 gushtit është manipuluar.

Lukashenka, i cili ka qenë në pushtet nga viti 1994 ka kundërshtuar akuzat dhe ka hedhur poshtë thirrjet e opozitës për të dhënë dorëheqje.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kanadaja dhe shtete tjera, kanë refuzuar të njohin Lukashenkas si lider legjitim të Bjellorusisë.

Më 6 nëntor, BE-ja e ka shtuar Lukashenkan, djalin e tij, Viktar dhe 13 zyrtarë tjerë në listën e zezë të zyrtarëve bjellorusë, për rolin e tyre në falsifikimin e votave dhe shtypjes së protestave nga ana e qeverisë./REL