Bjellorusia ndërmerr aktin e paprecedentë për të arrestuar një gazetar kritik të Lukashenkos

Bjellorusia devijoi një avion të linjës Ryanair që ishte nisur nga Athina për në Lituani të ulej në Minsk. Duket se e gjithë ngjarja ka qenë pjesë e një plani bjellorus për të arrestuar një gazetar opozitar që ndodhej në bord.

Roman Protasevich

Mesa raportohet nga agjencitë ndërkombëtare, në këtë avion po udhëtonte një bloger 26-vjeçar, Roman Protasevich, themelues dhe drejtues i medias Nextai opozitare të Lukashenkos, i cili ishte shpallur terrorist nga regjimi në Bjellorusi.

Mediat e huaja raportojnë se me gjasë në avion kanë qenë edhe agjentë të shërbimeve sekrete ruse, të cilët kanë njoftuar Minskun. Presidenti i Bjellorusisë ka urdhëruar avionë luftarakë që të shoqërojnë avionin e pasagjerëve.

Nga ana tjetër kanë qenë pikërisht agjentët rusë që i kanë thënë pilotit se në avion ka një bombë, në mënyrë që ai t’i bindej urdhrit të avionëve luftarakë për të devijuar linjën dhe të ulej në tokë bjelloruse.

Kjo ngjarje ka sjellë reagime të forta të autoriteteve nga e mbarë bota. Shkelje e papranueshme e rregullave ndërkombëtare të lundrimit ajror, e ka quajtur Ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio.

Kryeministri polak e ka përkufizuar si akt kriminal të terrorizmit shtetëror dhe i ka kërkuar Presidentit të Këshillit të Europës, Charles Michel, i cili do të presë këtë të hënë 27 kryetarë shtetesh dhe qeverish në Bruksel që të përfitojë nga rasti dhe të diskutojë sanksione ndaj Minskut.

Tv Klan