Lirohet shefi i kompanisë së suvatimeve

Një nga dy personat e arrestuar për aksidentin në pallatin ku tre ditë më parë vdiqën dy punëtore dhe u plagosën tre të tjerë, ka lënë qelitë e paraburgimit.

Xhimi Tarushi drejtuesi i firmës “Xhimi” që kryente suvatimet e pallatit ku u shembën skelat metalike, është lënë në arrest shtëpie nga Gjykata.

Në burg do të vijojë të qëndrojë Ilir Bendo, drejtues teknik i sigurisë në firmën “SYLA”, e cila kishte në pronësi skelat që u shembën.

44-vjeçari i tha gjykatës se ai kishte respektuar rregullat dhe kontratën me firmën, e cila po kryente punimet në fasadën e pallatit 13 katësh.

Sipas Bendos ai ka mbikëqyrur procesin e montimit të skelave, ndërsa survejimin e çomontimit nuk është parashikuar në kontratë. Pavarësisht këtij pretendimi, ai u la në qeli deri në fund te hetimeve.

Të premten e kaluar dy punëtorë Orjan Kondra dhe Ergys Ibrahimi gjatën vdekjen pas shkëputjes së skelës. Ndërsa u plagosën Genti Bardhi, Euglidios Lika dhe Altin Marku. Ata ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën. Edhe kur kanë kaluar tre ditë nga aksidenti tragjik, Prokuroria nuk ka ende shkakun e shembjes së skelave. Aktualisht nga specialistët është duke u punuar për të nxjerrë një aktekspertimi, i cili pritet të përfundojë brenda disa ditësh.

Tv Klan