Stadiumi i Barcelonës, “Camp Nou”, ishte në shënjestër të sulmeve terroriste vitin e kaluar. Gushtin e 2017-ës, në Barcelonë pati dy sulme terroriste ku mbetën të vrarë 16 persona. Sulmet u kryen nga një celulë xhihadiste e përbërë nga 12 vetë, të cilët kishin për synim gjithashtu të sulmonin stadiumin e famshëm.

Lajmi është bërë i ditur nga mediat spanjolle. Tetë anëtarë të kësaj celule u vranë nga policia, ndërsa 4 të tjerë u arrestuan. Sipas gazetës lokale “El Periodico”, xhihadistët kishin planifikuar të kryenin sulmin gjatë ndeshjes Barcelona – Real Betis, që u luajt më 20 Gusht të vitit të kaluar. Hetuesit gjetën fotografi të stadiumit “Camp Nou” në telefonin e njërit prej terroristëve të arrestuar.

E njëjta gazetë shkruan gjithashtu se anëtarët e celulës xhihadiste kishin vizituar dyqanin e klubit të Barcelonës pak ditë përpara sulmeve të 17 Gushtit. Megjithatë, është e paqartë se çfarë ishte planifikuar në sulmin ndaj stadiumit. Pavarësisht kërcënimeve, ndeshja Barcelona-Real Betis u zhvillua sikurse ishte planifikuar më 20 Gusht, në një prani të shtuar të masave të sigurisë.

/tvklan.al