Negociatat mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e qeverisë së re vijojnë ende. Pas zgjedhjeve të 6 Tetorit, në një intervistë për “Opinion”, kandidati për Kryeministër i LVV, Albin Kurti tha se e shihte Vjosa Osmanin në postin e Kryetares së Kuvendit, ose Ministres së Jashtme.

Por ku e sheh veten kandidatja për Kryeministre e LDK? Në një intervistë të dhënë mbrëmjen e kësaj të mërkure nga Kosova për gazetarin Blendi Fevziu, po në “Opinion”, Osmani pranoi se këto janë dy pozicione tek të cilat beson se mund të kontribuojë. Megjithatë ajo theksoi se nuk ka marrë ende një vendim dhe se me Kurtin nuk është biseduar ende për këtë çështje.

Zoti Kurti u shpreh që në një farë mënyrë, se ju sheh si Kryetare të Kuvendit ose si Ministre të Jashtme. Tashmë duket që është e vendosur që Kurti do të drejtojë qeverinë, për arsye se partia e tyre ka fituar më shumë deputetë, edhe pse diferenca është e pandjeshme. Ku e shihni ju veten?

Ne si LDK kemi vendosur që ta ndërtojmë parimin që ta përkrahim partinë që i fiton zgjedhjet, sa i përket Kryeministrit. Absolutisht pajtohem në aspektin etik, edhe pse në Kosovë ka pasur shembuj të ndryshëm në të kaluarën, sepse Kryeministri votohet në Kuvend. Megjithatë ne do ta respektojmë vullnetin e qytetarëve, por kjo nuk nënkupton që tanimë kemi pajtim për të gjitha çështjet e tjera. Pra sa i përket pozitave të tjera, ne akoma nuk jemi ulur të diskutojmë me Vetëvendosjen.

Nëse unë ju pyes jo çfarë ju ofron Albin Kurti, por çfarë do të preferonit ju personalisht të merrnit? Ku e shihni më shumë veten?

Nuk ka rëndësi se çfarë. Ju po supozoni që Vetëvendosja tani i ka të gjitha pozitat dhe do t’ia ofrojë ato LDK-së, në fakt nuk ka asnjërën.

Jo thashë të kundërtën. Atëherë po jua bëj pyetjen në një mënyrë që të duket më e bukur. Ku mund të jepni më shumë për qytetarët e Kosovës që ju kanë votuar? Pra cila është fusha që e shihni veten më të aftë të jepni? Dhe besoj që kjo është më normale, sepse mund të jeni shumë e aftë në një fushë e t’ju çojnë në një fushë tjetër, ku rendimenti juaj mund të jetë me përqindje më të ulët.

Kur dëgjoj nganjëherë të thuhet çka do t’i ofronin LDK-së, në fakt për momentin që po kalojmë nuk është që dikush i ka këto pozita. Unë personalisht akoma nuk kam vendosur për këtë temë, do të jetë vendim i imi natyrisht në konsultim me partinë që përfaqësoj.

Dhe me kryeministrin…

Nuk besoj që Kryeministri do të duhej të përzihej në pozitat që pastaj do t’i takojnë LDK.

A rrezikon kjo ta parcializojë qeverinë, ta kthejë në dy feude?

Nuk e besoj, sepse ne e kemi parë sesi qeverisja me mendësi të tillë të feudeve e dëmton interesin shtetëror. Prandaj edhe nuk do të përdorim një logjikë të tillë. Ne tashmë ne kemi një pajtim edhe me zotin Kurti që të mos funksionojmë me një logjikë të tillë. Unë do të jem aty ku do të mund t’i shërbej vendim tim më së miri, në këtë periudhë tejet kruciale për të ardhmen e Kosovës, ku do të mund të ndihmoj edhe LDK që të vazhdojë të grihet ashtu siç u ngrit tani, me ngritjen më të madhe që ka pasur që nga zgjedhjet e 2004 dhe së fundi aty ku mund të ndihmojë që koalicioni të jetë efektiv dhe të ketë një lloj bashkëveprimi dhe sinergjie të mirë. Unë besoj se mund të kontribuoj në një diçka të tillë.

Kjo është sërish e përgjithshme. Në dëshirat dhe ëndrrat tuaja cili do ishte posti që ju besoni se jepni më shumë? Fushat ku mendoni që jeni më eksperte?

Këto janë dy fushat ku unë do mund të kontribuoja, qoftë në krye të Kuvendit, qoftë të politikës së jashtme, megjithatë akoma nuk e kam marrë këtë vendim./tvklan.al