Do të punojë për të ulur ndotjen në atmosferë, është në pikën kritike

Themelohet në Davos koalicioni ‘Mission Possible’. Në të janë përfshirë 400 kompani, ndër klientë,prodhues, banka, aksionerë dhe autoritete. Qëllimi është të përshpejtohet ulja e çlirimit të karbonit nga industria e rëndë dhe ajo e transporteve, që janë edhe dy sektorët që ndikojnë më tepër në nivel botëror në ndryshimet klimatike.

Ky grupim që si financiatorë ka edhe emra të njohur pas, si Bezos Earth Fund dhe Breakthrough Energy, lind pas idesë dhe kërkesës së sekretarit të përgjithshëm të OKB, Antonio Guterrez, në samitin e klimës në vitin 2019, i cili kërkoi krijim politikash dhe zbatim më rigorozitet për uljen e çlirimit të dioksidit të karbonit nga 7 sektorët industrialë.

Lajmi u bë i ditur nga WEF, një nga 4 partnerët kryesorë të këtij Partnership me rastin e punimeve të forumit ekonomik e politik ndërkombëtar Davos 2021. Temat kryesore në axhendën e World Economic Forum, ku vendosen fatet e botës, janë: si të shpëtohet Toka, politika ekonomike më të drejta, zhvillimi teknologjik, shoqëria dhe puna e së ardhmes, përmirësimi i botës së biznesit, përmirësimi i sistemeve shëndetësore, eliminimi i pabarazive dhe bashkëpunim mes shteteve.