Kjo foto dramatike e publikuar në mediat lokale dhe ndërkombëtare mendohet se është momenti i fundit i tre zjarrfikësve libanezë që po përpiqeshin të hynin në magazinën ku kishte nisur zjarri. Pak sekonda më vonë ndodhi shpërthimi i tmerrshëm që la të vdekur mbi 140 persona dhe plagosi 5000 të tjerë. Edhe personi që mendohet se ka filmuar këtë foto është konfirmuar i vdekur.

Zjarrfikësit ishin nisur për të fikur zjarrin që kishte nisur brenda magazinës. 12 vatra të vogla do të shkaktonin shpërthimin e 2700 tonë plehu nitrat amoni. Shpërthimi, i njëjtë me një bombë të vogël nukleare, shkatërroi zonën përreth.

Personat që janë në foto mendohet se janë Jo Noon, Methal Hawa dhe Najib Hati, pjesë e njësisë së përgjigjes së shpejtë. Nëntë prej kolegëve të tyre vazhdojnë të jenë të zhdukur. Anëtarja e skuadrës, Sahar Faris, 25 vjeçe, e njohur si “Nusja e Bejrutit”, është konfirmuar e vdekur. Ajo do të martohej vitin tjetër.

Ditën e djeshme, qytetarët e Bejrutit dolën në rrugë duke kërkuar heqjen e regjimit libanez. Ndërkohë që ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën për të gjetur ata persona që mendohet se janë bllokuar në rrënoja, banorët kanë kërkuar që paratë që do të vijnë për ndihmë të mos i jepen qeverisë.

“Shpresojmë që ndihma do të shkojë tek populli i Libanit dhe jo liderët e korruptuar”, i tha një qytetar Presidentit francez Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në kryeqytetin tashmë të rrënuar.

Macron tha se nuk do të shkruajë një çek të bardhë.

“Shpërthimi duhet të jetë fillimi i një epoke të re. Ju garantoj që ndihma nuk do të shkojë në duart e korruptuara”, tha ai./tvklan.al