“Babai” i saj: Deri në Qershor 2021 do të kemi prodhuar 300 milionë

Në muajt e parë të vitit që vjen do të nisë shpërndarja në disa shtete e vaksinës që u prodhua nga Phfizer dhe kompanie Biotech në Gjermani. Drejtuesi i kësaj kompanie Ugur Shahin flet për miliona doza që do të prodhohen në bashkëpunim edhe me kompani të tjera që aktualisht po vijojnë punën për vaksinën anti Covid.

“Në ditët e fundit të Dhjetorit do të fillojmë të prodhojmë sasinë e parë të vaksinës. Dozat e para do të shkojnë në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Janar apo në Shkurt të vitit 2021. Deri në 6 muajt e parë të vitit që vjen duam që të shpërndajmë deri në 300 milionë doza. Por kjo do të ndodhë kur të përfundojnë të gjitha procedurat dhe kontrollet nga autoritetet shëndetësore”.

Vaksina që doli 90% efikase për të luftuar koronavirusin nuk është ende pjesë e programit Covax Facility ku aderon edhe Shqipëria dhe sipas Sahin po punohet për ta arritur këtë. Kjo me qëllim që të përfitojnë edhe vendet me ekonomi të dobët.

“Kjo është një arritje mjekësore, por nuk është një fitore e madhe në këto kushte pandemie që jemi aktualisht. Do të na marrë shumë kohë prodhimi i vaksinës për të gjithë popullatën. Sfidë më vete është gjithashtu edhe transporti nëpër farmaci. Marrja e dozave është e vështirë për vendet që janë me ekonomi të dobët dhe që në fakt do të përfitojnë të fundit. Megjithatë ne shpresojmë që vaksina të shpërndahet në të gjithë botën deri në mesin e vitit 2022”.

Aktualisht në botë po punohet në disa projekte vaksinash. Edhe autoritetet shëndetësore në Rusi deklaruan se një prej vaksinave ka dhënë rezultat në testime, por ende nuk është certifikuar nga autoritetet shëndetësore botërore.

Klan Plus