Një krim i rëndë ka ndodhur në Durrës mbrëmjen e sotme, ku një person është gjetur i vrarë dhe një tjetër i plagosur rëndë brenda një makine.

Lajmi konfirmohet nga burime policore për

tvklan.al

. Sipas informacioneve paraprake, viktima dhe i plagosuri janë gjetur brenda një automjeti Audi në lagjen 13 në zonën e plazhit.

Mësohet se viktima është Edison Harizaj 39 vjeç, kurse i plagosuri Genci Caci 33 vjeç, të dy nga Vlora.

Ndërkohë, në Shën Vlash është gjetur një makinë e djegur, që dyshohet të jetë përdorur në krim. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policore, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve të këtij atentati mafioz.

Informacioni paraprak i Policisë së Durrësit: 

Më datë 06.11.2018 , rreth orës 22:50 ,në lagjen nr. 13, Durrës brenda një mjeti tip “Audi” është gjetur pa shenja jete shtetasi E.H. 39 vjeç, banues në Vlorë dhe i plagosur shtetasi G.C. 33 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve si dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

/tvklan.al