“Galeritë janë miniera që punojnë burrat. Më ka marrë malli për babin. Unë do doja t’i thoja që e dua shumë dhe që do të mësoj shumë në shkollë…”

Flori është djali i Rexhep Rushitit. Ai na thotë ne atë që donte t’ia thoshte të atit sepse nuk mundi ta shihte më kurrë pas pritjes 3 javore. Babai i tij humbi jetën të mërkurën e shkuar, në një galeri kromi. Më datën 31 Tetor ai do të kthehej në shtëpi, por në fakt në datën 31 Tetor stafi i “Historia e Fundjavës” xhiroi këtë histori.

“Po sot vinte, sot do vinte te kalamajtë… nuk ka qenë e shkruar, çfarë të bëjmë. Ai shkoi për të punuar, për fëmijët. Në këtë zonë këtë rast ne nuk e prisnim. M’i ka lënë mua kalamajtë. Fati im kështu ishte”, rrëfen Irena mes lotëve.

Gjatë verës Rexhepi punonte duke mbledhur bimë medicinale në mal. Ai kishte pësuar disa aksidente në miniera dhe e njihte rrezikshmërinë e tyre. Pak muaj më parë ai mori 800 mijë lekë borxh me të cilat bleu një kalë për të punuar, por kali ngordhi pak kohë pasi e morën dhe Rexhepi u detyrua t’i kthehej punës në galeri për të shlyer borxhin dhe për të mbajtur familjen.

“Kishte shkuar për të punuar, por se çfarë do të ndodhte unë nuk e dija… mi la muaj fëmijët, unë nuk di çfarë të bëj tani. Pa punë, pa gjë, dritat pa paguar, uji duhet paguar… shtëpinë siç e patë vetë copë-copë. Ku të përplasem, këto thonë o ma çfarë ka për të ngrënë”.

Humbja e Rexhepit i ka lënë një barrë të rëndë mbi shpinë Irenës, e cila duhet të kujdeset e vetme për 3 fëmijët e mitur të mbetur jetimë. Ajo është 29-vjeçe, vuan nga disa probleme me shikimin, por asnjëherë nuk është vizituar. Dikur Irena mblidhte krom së bashku me fëmijët, derisa miniera u privatizua. Tani ajo është në kërkim të një pune.

Familja Rushiti merr vetëm një ndihmë ekonomike prej 57 mijë lekësh dhe është e zhytur në borxhe. Kushtet ku Irena dhe fëmijët jetojnë janë të mjerueshme. Sot ata bëjnë apel për ndihmë. Kanë nevojë për gjithçka. Për mbështetje, për të mira materiale për të kaluar dimrin, për një shtëpi me kushte më njerëzore./tvklan.al