Përdoren për të mbajtur distancën e vizitorëve për mbrojtje nga Covid

Të jesh kreativ në kohë pandemie. Këtë ka zgjedhur të bëjë edhe një galeri arti në Paris e cila ka gjetur inspirimin tek një qytetërim i vjetër kinez.

Për të ruajtur distancimin fizik mes vizitorëve, kjo galeri ka prodhuar kapele me strehë të mëdha në mënyrë që njerëzit të mos bien në kontakt me njëri-tjetrin.

Kapelet shumëngjyrëshe të bëra me letër, miell dhe ngjitëse janë dizejnuar sipas modelit të dinastisë Song, e cila mbretëroi në Kinë gjatë viteve 960-1279.

Perandori Song ishte i pari, i cili urdhëroi që të tilla kapele të përdoren në mënyrë që mos të dëgjonte njerëzit pranë perandorisë që të flisnin me zë të lartë nga frika se mos krijonin komplote për të. Ato të japin mundësi që të mbash distancën 1 metër siç është e parashikuar edhe nga OBSH.

Dizejnuesi i këtyre kapeleve, Dominik Pouzol është shprehur se këto janë bërë në atë mënyrë që njerëzit të mos infektohen nga Covid-19. Disa nga krijimet e Pouzol ndër vite mbartnin mesazhe politike dhe janë me ngjyrat e ylberit për t’i bërë jehonë të drejtave të komunitetit LGBTI.

Ndërkaq edhe Katedralja Opera di Santa Maria del Fiore në Firence ka krijuar një mënyrë mjaft gjeniale për të mbajtur distancimin fizik.

Në hyrje të katedrales, vizitorët pajisen me një sensor ‘wearable’ që vihet në qafë për t’i ndihmuar që të qëndrojnë larg njëri-tjetrit ndërkohë që vizitojnë veprat e artit të Rilindjes dhe mrekullitë arkitekturore.

Sensori i vogël do t’u ofrohet vizitorëve sapo të mbërrijnë, pa kosto shtesë. Ai jep një alarm akustik, i cili vibron dhe lëshon dritë nëse shkelen rregullat e distancimit fizik.

Këta sensorë nuk gjurmojnë të dhënat personale dhe dezinfektohen nga një përdorim te tjetri. Po ashtu vizitorëve iu matet temperatura dhe nëse ajo është e lartë ata nuk futen në katedrale.

Klan Plus