Është në gjendje kritike për jetën biznesmeni Bardhi Bezhani makina e të cilit shpërtheu të shtunën në mbrëmje. I plagosuri ndodhet i shtruar në reanimacionin e Spitalit Ushtarak dhe, sipas mjekëve ka humbur këmbën e majtë si pasojë e shpërthimit, gjë që rrezikon seriozisht jetën. Bezhani ka pësuar edhe dëmtime të tjera më të lehta në trup. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 19:30 në autostradën Tiranë- Vorë në vendin e quajtur Kthesa e Kamzës. Ekspertët e antiterroit janë në pritje të ekspertizës që po i bëhet automjetit tip BENZ me targa të huaja me të cilin udhëtonte Bezhani, pronar i një lokali lojrash fati. Mina ose lënda shpërthyese, lloji i së cilës do të përcaktohet nga ekspertiza, ka lënë gjurmë të qarta që tregojnë se ajo është vendosur pikërisht në sediljen e shoferit. Policia ka shoqëruar pas ngjarjes 4 persona dhe po heton në dy pista, atë të një atentati për shkak të konkurencës dhe atë të konfliktit për çështje pronash. I plagosuri mësohet të jetë dhe pronari i një sipërfaqeje toke në Kashar. /tvklan.al