Të drejtuarit automjetin nën efektin e alkoolit është në vetvete shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor. E kur në këtë gjendje përplasesh me një makinë tjetër, që për më tepër është Policia Rrugore, padyshim që nuk të pret asgjë më shumë se prangat. Ky është edhe rasti i një shoferi nga Durrësi, i cili gjatë kohës që i jepte makinës në gjendje të dehur përplasi makinën e policisë duke lënduar lehtë një efektiv.

Ky i fundit, pasi mori mjekim në spital u largua për në banesë. Ndërsa shoferi përfundoi në pranga.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë G. B., banues në Durrës, pasi në lagjen nr. 14, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Fiat”, në gjendje të dehur, është përplasur me mjetin e Policisë Rrugore dhe si pasojë e përplasjes është lënduar lehtë punonjësi i Policisë Rrugore, i cili pas ka marrë mjekim është larguar në banesë”, thuhet në një njoftim për mediat nga policia e Durrësit./tvklan.al