Vijojnë debatet politike për ngjarjen e 8 Shtatorit

Gjendja shëndetësore e 12 pacientëve që shpëtuan nga zjarri që përfshiu spitalin modular në Tetovë është e qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetë. Sipas mjekëve ata kanë lëndime të pakta në trup dhe tashmë po trajtohen vetëm për infektimin nga Covid.

Por në Shkup vijojnë debatet politike pas vendimit të kryeministrit Zoran Zaev për të shtyrë largimin e ministrit të shëndetësisë deri në përfundimin e hetimeve. Opozita i ka dhënë afat deri të martën kryeministrit që të largojë Venko Filipçen. 

“Japim afat deri të martën paradite që Ministri i Shëndetësisë dhe zëvendësi i tij të dorëzojnë dorëheqjet e tyre në Kuvend. Në qoftë se nuk dorëzohen dorëheqjet, grupi parlamentar i  VMRO-DPMNE-së në bashkëpunim me deputetët tjerë do të dorëzojnë propozimin për shkarkimin e tyre.”

Ka reaguar LSDM-ja në pushtet që kërkon që drejtësia të punojë e pandikuar nga politika.

“VMRO-DPMNE-ja duhet të kuptojë se ka përfunduar koha kur politika ka dominuar mbi të drejtën. Ka përfunduar koha kur hetimet dhe procesverbalet e procedurave janë diktuar përmes telefonit, janë shpikur dëshmitarë dhe janë keqpërdorur institucionet.”

Për ngjarjen në spitalin e Tetovës ku humbën jetën 14 persona nuk ka ende një version zyrtar për shkaqet.

Tv Klan