Në gjurmët e Alexander von Humboldtit

Në gjurmët e Alexander von Humboldtit

09:00 12/02/2019

Vizita e fundit e një presidenti gjerman në Ekuador ka qënë para 26 vjetësh. Me vizitën në Ekuador, Steinmeier dëshiron të festojë 250 vjetorin e lindjes së Humboldtit, por edhe të normalizimin e marrëdhënieve politike.

Bärbel Höhn në karrierën e saj politike ka debatuar me shumë politikanë me pushtet: me kryeministrin e landit të Renanisë Veriore Westfalisë, Wolfgang Clement, kur Höhn ishte ministre e Ambientit në koalicionin socialdemokrat-ambientalist të këtij landi, më vonë me pasardhësin e Clemensit, Peer Steinbrück, dhe natyrisht me ikonën e ambientalistëve Joschka Fischerin, me të cilin debatoi për luftën e Kosovës. Shumë janë dorëzuar para politikanes këmbëngulëse ambientaliste. Rafael Correa, ish-presidenti i Ekuadorit, nuk kishte dëgjuar kurrë për Höhn. Kjo ndryshoi në vitin 2014 për t’i vendosur marrëdhëniet politike të dy vendeve në një provë të vështirë.

Gjermania ka mbështetur mbrojten e Parkut Kombëtar Yasuní në Ekuadorin Lindor me 35 milionë euro. Në dhjetor 2014 Bärbel Höhn së bashku me Komisionin e Mjedisit të Bundestagut dëshiron të shohë projektet në terren. “Por Correa nuk e dëshironte këtë dhe na refuzoi hyrjen në Ekuador disa ditë para vizitës”, kujton Höhn, i cila nuk e kishte pritur një gjë të tillë. “Isha mjaft e befasuar nga refuzimi, sepse udhëtimi ishte paralajmëruar shumë  kohë përpara dhe deputetët e Komisionit të Mjedisit i kishin miratuar me shumë bindje fondet për projektet e Yasunít.

Një grindje e çuditshme për një udhëtim të parlamentarëve në xhungël

Ekuadori kishte filluar pak më parë në Yasuni, në rajonin me biodiversitetin më të lartë në botë, me nxjerrjen e naftës. Dhe nuk dëshiron që Gjermania t’ia marrë vesh të fshehtat. Qeveria në Quito reagon me agresivitet, duke folur për kolonializëm dhe imperializëm dhe mungesë respekti ndaj sovranitetit të Ekuadorit. Pason një grindje e çuditshme disamujore për një udhëtim të vogël parlamentarësh, ndërpritet bashkëpunimi i ndihmës për zhvillimin në sektorin e mjedisit, negociatat qeveritare shtyhen dhe vetëm një bisedë personale midis presidentit Correa dhe kancelares Angela Merkel sjell një çtensionim të lehtë.

“Kishte shumë forca në Ekuador, që dëshironin t’i jepnin fund këtij konflikti me Gjermaninë, sidomos në qeverinë e re të Lenin Morenos”, shpjegon Bärbel Höhn. Pas dorëzimit të detyrës nga Correa tek Moreno më 24 maj 2017 hapet më në fund rruga. “Bärbel Höhn viziton Yasunín pas konsultimit me deputetët e Komisionit të Mjedisit, megjithatë vetëm, viziton projekte dhe zhvillon biseda. Të gjitha në shtator 2017, gati tre vjet pas datës të planifikuar fillimisht për udhëtimin. “Fundi mirë, gjithçka mirë?” Te Gjermania nuk çalon puna, ndihma për zhvillim jep edhe më shumë para për sektorin e mjedisit.

Moreno distancohet qartë nga Correa

Polemizuesi Rafael Correa në postin e presidentit të Ekuadorit i përket së kaluarës, ish-zëvendëspresidenti Lenin Moreno ndjek prej gati dy vjetësh një politikë tjetër. Moreno i jep fund politikës konfrontuese të paraardhësit të tij, preferon balancimin në vend të polarizimit, shkurton shumë aparatin e fryrë shtetëror dhe në politikën e jashtme largohet nga “boshti bolivarian” me Kubën, Venezuelën dhe Nikaraguan. Correa mbështeste fort pushtetmbajtësin e Venezuelës, Nicolas Maduro. Me Morenon këto kohëra kanë marrë fund definitivisht

Edhe në lidhje me Julian Assange, Moreno mban qendrim të kundërt me paraardhësin e tij. Ndërsa Correa që nga viti 2012 i kishte dhënë azil themeluesit të Wiki-Leaks në ambasadën e Ekuadorit në Londër, duke e paraqitur këtë gjest si luftë për lirinë e shtypit në botë (dhe vetë në Ekuador vepronte kundër mediave të padëshiruara), Moreno do që t’ia heqë Julian Assange të drejtën e azilit dhe ta heqë qafe sa më parë aktivistin australian.

Qëndrimi ndaj venezuelanëve po ndryshon – me miratimin e  Morenos

Por për momentin Moreno po kritikohet fort. Pasi një venezuelian theri në mes të rrugës partneren e tij ekuadoriane shtatzënë në Ibarra në veri të Ekuadorit, presidenti e vë fort theksin tek nacionaliteti i autorit të krimit : “Ne i hapëm atyre dyert, por nuk do të sakrifikojmë sigurinë tonë!” Pas kësaj dhjetëra venezuelanë janë sulmuar dhe shumë prej tyre largohen nga Ibarra nga frika e të tjera sulmeve të dhunshme.

Në vend që të qetësojë. gjendjen, Moreno ashpërson rregullat e emigracionit dhe kërkon që tani e tutje nga refugjatët venezuelanë një dokument të çertifikuar, që ofron informata për precedentët penalë. Një gjë e pamundur për mijëra venezuelanë, që arratisen çdo ditë për në Ekuador dhe për qindramijërat, që  ndodhen ndërkohë në këtë vend. “Moscënimi i nënave, bijave dhe shoqeve tona, ka prioritetin maksimal për mua”, kundërshton Moreno akuzat se me politikën e tij po nxit ksenofobinë.

Udhëtimi i Humboldtit në Ekuador në vitin 1802

Frank-Walter Steinmeier me siguri që do të bisedojë me Lenin Morenon për refugjatët venezuelanë, por me udhëtimin ne Ekuador presidenti gjerman dëshiron të ndjekë edhe gjurmët e Alexandër von Humboldtit. Natyralisti i shquar pati vizituar Ekuadorin para afro 200 vjetësh. Ende sot ai nderohet atje si hero. Qindra rrugë parqe, dhe shkolla mbajnë emrin e shkencëtarit.

Humboldti i ka ndërlidhur si asnjë tjetër hulumtimet shkencore me qëndrimin politik”, thotë eksperti i Humboldtit, Frank Holl. Shkencëtari e ka treguar me shembullin e tij respektin për kulturat e tjera. “Banorët indigjenë ai nuk i ka trajtuar me mospërfillje, por si të barabartë, të gjithë njerëzit ishin për të të njëjtë”, thekson Holl. Kjo e ka dalluar atë nga shkencëtarët e tjerë të njohur, por prepotentë.

Kontribut i madh për pavarësinë e  Amerikës Latine

Në Ekuador Humboldti u muar me të ashtuquajturën “gjeologji e bimëve” dhe katalogizoi 6200 lloje bimësh, “lindja e ekologjisë moderne”, sic e quan Holl. Krahas bimësisë së larmishme përreth kryeqytetit Quito, polimatit gjerman i interesonin në mënyrë të veçantë vullkanet. Humboldti ngjitet në Chimborazo, në malin më të lartë të Ekuadorit, me lartësi prej 6267 metrash. Ai ngjitet aq lart sa askush më parë, e ndërpret ngjitjen në 5600 metra, për shkak të një çare masive të një glacieri akullnajor.Humboldti ishte edhe specialist në fushën e gjeologjisë, thotë Holl, ai donte të zbulonte se si dukej toka nga brenda.

Shkencëtari studion edhe rrymën e fortë detare në bregdetin e Paqësorit, e cila u quajt më vonë rryma Humboldt. Në ishujt Galapagos nuk arrin dot, “përndryshe do të kishte zhvilluar teorinë e evolucionit si Darvini 30 vjet më vonë”, beson Holl. Rëndësia e Humboldtit për Amerikën Latine është e jashtëzakonshme, edhe jashtë kërkimeve shkencore. “Luftëtari i lirisë Simon Bolivar, me të cilin Humboldt kishte miqësi, ka thënë njëherë: “Humboldti ka bërë për lirinë e Amerikës Latine më shumë se të gjithë zbuluesit e tjerë së bashku”./DW

Të ngjashme
UKT