Elsi Levendi, 21 vjeç, lindur në Athinë dhe banues në Tiranë, Alesio Berberi, 33 vjeç, lindur dhe banues në Patos, Fier, si dhe Olsi Qalliaj, 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos janë 3 personat e arrestuar nga Policia e Tiranës për vrasjen e Jurgen Kurtit. Një i katërt, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur është shpallur në kërkim.

Zyrtarisht Policia tha se

“nga informacionet e grumbulluara, provat e administruara dhe të sekuestruara, si dhe tërësia e veprimeve hetimore të kryera,  dyshohet se autorët e kësaj ngjarje janë shtetasit e mësipërm sëbashku me një shtetas tjetër të shpallur në kërkim”.

Tvklan.al

mëson se të arrestuarit u hetuan me metoda speciale hetimi. Ata mësohet se komunikonin me njëri-tjetrin me mesazhe të koduara, në mënyrë që të mos u përgjoheshin bisedat.

Deri në këto momente, nuk dihet ende se cili nga këta 4 persona ka qenë në rolin e ekzekutorit. Edhe motivet nuk janë ende të konfirmuara zyrtarisht. Dyshimet janë se shkak i vrasjes janë bërë konfliktet e vjetra ku ishte përfshirë viktima Kurti.

Megjithatë, pritet që gjatë orëve në vijim të ketë zhvillime të tjera për këtë ngjarje.

Viktima, Jurgen Kurti

Gjatë arrestimit të tre personave në fjalë, policia sekuestroi një automjet, që u ka shërbyer autorëve për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze. Gjithashtu u gjet dhe një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarakë, një sasi prej 2470 Euro e Lekë shqiptare, 13 aparate celular, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike.

/tvklan.al