Kreshnik e Bardhok Shota dyshohet se i përfituan nga aktiviteti kriminal, i trafikut të drogës në Belgjikë

Pesë pasuri në pronësi të dy vëllezërve nga Fushë-Kruja dhe të afërmeve të tyre që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal, janë sekuestruar nga Gjykata e Posaçme. Bëhet fjalë për tre apartamente, një objekt në ndërtim në proces legalizimi dhe një motor. Këto  prona figurojnë në emër të babait të dy subjekteve të hetimit pasuror, Bardhok dhe Kastriot Shota.

Objekti në ndërtim ndodhet në Kodër-Derven në Krujë, ndërsa apartamentet ndodhen në Golem, Kavajë. Verifikimi i pasurive të paligjshme të dy vëllezërve dhe familjarëve të tyre nisi pas regjistrimit të procedimit pasuror në shkurt të këtij viti, pas informacioneve të mbërritura nga autoritetet e Mbretërisë së Belgjikës.

Kjo për shkak të gjykimit që po u bëhet dy vëllezërve Shota në Belgjikë, pasi në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, janë marrë me aktivitetin e kundraligjshëm të kultivimit të kanabisit gjatë periudhës Qershor-Korrik 2020.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme, autoritetet ligjzbatuese belge kanë zbuluar disa plantacione me kanabis në një prej komunave të Brukselit dhe në Antvverp.

SPAK sqaron se për objektin e konstatuar në proces legalizimi, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, ka mbajtur akt-konstatimi përkatës, duke qenë se në godinën në ndërtim nuk është konstatuar asnjë person që të firmoste procesverbalin e sekuestros.

Klan News