Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e sotme në qytetin Kyparissia të Greqisë, ku fatkeqësisht humbën jetën tre adoleshentë. Mes viktima është edhe një 15-vjeçar shqiptar, identiteti i të cilit nuk dihet. Sipas informacioneve nga mediat greke, dy viktimat e tjerë janë një grek e një bullgar, të gjithë 15 vjeç.

Makina me të cilën udhëtonin tre shokët u përplas me një kamion që drejtohej nga një shtetas bullgar, i cili ka pësuar dëmtime të lehta. Nga përplasja e fortë humbën jetën menjëherë adoleshentët grek e bullgar, kurse 15-vjeçari shqiptar u dërgua në gjendje kritike në spitalin e Rio të Patras, por ndërroi jetë më vonë.

Për të nxjerrë trupat e nxënësve nga automjeti i shkatërruar, u desh ndërhyrja e zjarrfikësve. Mediat greke raportojnë se njëri prej adoleshentëve, dyshohet 15-vjeçari shqiptar, kishte marrë pa leje makinën e të atit. Sipas burimeve mediatike, nxënësit sapo kishin dalë nga mësimi para se të merrnin pa leje makinën, e cila u shkaktoi atyre vdekjen. Shkaqet dhe rrethanat e aksidentit janë të paqarta, ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet. /

tvklan.al