Deputeti grek: Ta përmbyllim çështjen para zgjedhjeve në Shqipëri

Angelos Syrigos, deputet i partisë së Kryeministrit Mitsotakis ka deklaruar se para ankimit në Gjykatën e Hagës, pala greke do të kryejë zgjerimin në 12 milje të hapësirës së ujërave në detin Jon. Kjo ‘de facto’ sipas tij do të zvogëlojë zonën për t’u demarkuar dhe e bën procesin relativisht më të thjeshtë.

“Mbetet të shihet nëse Shqipëria do ta mbajë fjalën këtë herë. Përvoja tregon se pas premtimit të parë, pala shqiptare kërkon arsye dhe justifikime, për të shmangur respektimin e asaj që bie dakord. Për më tepër, afati kohor për të përfunduar veprimin e përbashkët në gjykatë është i kufizuar. Në Prill 2021, shqiptarët do të shkojnë në zgjedhjet parlamentare ndërsa premtimi i dhënë duhet të jetë realizuar deri atëherë. Vendimi i Greqisë dhe Shqipërisë për të apeluar në Gjykatën Ndërkombëtare de facto zvogëlon zonën në fjalë për t’u demarkuar dhe e bën procesin relativisht më të thjeshtë. Për herë të parë, kjo gjykatë do të thirret të vendosë për shënjimin e një zone relativisht të vogël detare, ku ka shumë ishuj”.

Syrigos nënvizon ndikimin turk në qeverinë Rama.

“Nuk duhet të harrojmë se ndikimi turk në Shqipëri është përgjithësisht i lartë. Nuk është rastësi që xhamia më e madhe në Ballkan (përveç Turqisë) po ndërtohet në Tiranë me paratë turke. Në veçanti, qeveria e Edi Ramës tregon se ka marrëdhënie edhe më të ngushta me Erdoganin se të tjerët para tij. Dy nga katër arsyet e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e thirrur në kauzë nga Edi Rama në vitin 2010, bazoheshin plotësisht në logjikën e argumenteve turke për Egjeun. Sipas saj, ishujt duhet të kishin një ndikim të reduktuar në përcaktimin e kufirit detar”.