Përfundojnë rreth 30% të punimeve

Aty ku 3 javë më parë ishte vetëm fushë, sot duket qartë puna e bërë për ndërtimin e Spitalit të Ri Rajonal në Fier. Jo vetëm janë hapur themelet, por një pjesë e godinës ka marrë formë.

Puna vijon pa ndërprerje për ndërtimin e spitalit të ri rajonal të Fierit. Deri tani është kryer rreth 30% e punës. Më konkretisht, janë ngritur 3 struktura ku do të vendoset Urgjenca e spitalit dhe pavionet.

Themelet janë bërë gati edhe për godinën qendrore, aty ku sipas projektit do të ndërtohen sallat kirurgjikale. Ritmi i shpejtë i punimeve është edhe i nxitur nga basti që kryeministri Edi Rama vendosi me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan në Stamboll, se spitali do të ishte gati brenda 3 muajve.

Përveç ndërtimit të godinës, qeveria turke do të bëjë edhe pajisjen e spitalit me të gjitha aparaturat e nevojshme, si dhe administrimin e tij nga ekspertë dhe mjekë turq për një periudhë tranzitore të kalimit tek pala shqiptare. Spitali i ri do të ofrojë shërbimin e urgjencës, ato ORL, okulistikës, një departament special për kirurgjinë Speciale dhe pavionin e sëmundjeve infektive.

Tv Klan